Ramazani 2024/ Politikanët nisin me iftaret e përbashkëta!

Ramazani vuri në lëvizje edhe politikën. Natyrisht në kohë të fushatës për zgjedhjet e dyfishta, targetimi i besimtarëve është cak legjitim.

Por, përtej kësaj, aktivitetet politike gjatë Ramazanit japin një mesazh ndryshe. Politikanët nuk I shohim në tryeza të rrumbullakta të diskutimeve, por në “sofrën” e iftarit.

Përmes rrjeteve sociale ishim dëshmitarë se Ministrit të Jashtëm dhe Kandidatit presidencial të BDI-së, Bujar Osmanit, në iftarin e parë të këtij Ramazani, në “konak” i shkuan lideri Ali Ahmeti por edhe Kryeministri Talat Xhaferi.

Aktiv ishte edhe kandidati presidencial i opozitës shqiptare, Arben Taravari. Ai u shkoi në “konak” banorëve të fshatit Balindol të Gostivarit në një iftar të përbashkët. Interesantja e gjithë kësaj ishte se është rikthyer tradita e vjetër që iftari të çelet me gjuajtjen e topit.

Kreu I Bashkësisë Islame, Shaqir Efendi Fetai, tha në Klan Debat se mesazhi i Ramazanit është një thirrje që njerëzit të reflektojnë, kurse agjërimi ta vërtetojë besimin.

“Së pari, vlera më e madhe e agjërimit tek  besimtari është se nëpërmjet largimit nga haja dhe pija ai arrinë në praktikë të vërtetojë se besimi i tij nuk është vetëm teori, nuk është vetëm fjalë por është edhe praktikë” – tha Shaqir ef. Fetai, kryetar i BFI-së.

Por, Imami Omer Dauti, përmend vendosmërinë e besimtarit apo sic e quan ai, nijetin.

“Allahu Krijuesi I gjithësisë, nga ne kërkon vendosmërinë dhe nijjetin. Kërkon që ne në zemrën tonë të kemi një vendosmëri për një punë të caktuar – Unë do të agjëroj. Cfarë do që të ndodh me mua, unë kam marrë vendimin”  – tha Omer Dauti, imam.

Urojmë që politikanët gjatë Ramazanit të marrin vendime që do të jenë në dobi të qytetarëve, vendime që do të prekin dhe do t`ua lehtësojnë jetën e tyre. Nuk e kanë vështirë.

Fillimisht, le të nisin me vënien nën kontroll të çmimeve të produkteve ushqimore, si një parahyrje në atë që quhet promovimi i programeve zgjedhore. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share