“Ndarja për Kosovën nuk na pengon të bashkëpunojmë”
Lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave dhe efekti në rritjen e ekonomive të rajonit ishin kryefjalë e deklaratave të një konference të përbashkët të Kryministrit të Shqipërisë Edi Rama, Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Ata u bënë bashkë në panairin e verës në Verona të Italisë, ku për herë të parë tre shtetet u prezantuan në stendën e “Open Balkan”.
Kryeministri Rama: Vëllimi tregtar i vitit 2022 midis vendeve të Ballkanit të Hapur është rritur me 24.8% për të qenë preciz, pra 1/4. Është një rritje e jashtëzakonshme, që sigurisht është rezultat i gjithçkaje që ne kemi bërë dhe sigurisht jemi shumë të lumtur të shohim që edhe në Procesin e Berlinit ka përparim.
Vuçiç: Ajo çfarë diskutuam, ishte se si të ndihmojmë qytetarët e zakonshëm që të heqim të gjitha pengesat dhe barrierat e mbetura në tregtinë e lirë dhe në qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve në të gjitha vendet e Ballkanit të Hapur.
Kovaçevski: Ballkani i Hapur nuk është nismë politike por ekonomike, e cila mbështetet në 4 liritë në të cilat bazohet BE dhe provohet përmes shifrave.
Jashtë vemendjes nuk mbetën edhe diferencat mes Kosovës me Serbisë. Por Rama dhe Vuçiç si përgjigje të pyesje se si do veprohet me këtë situatë, zgjodhën diplomacinë.
Vuçiç: Kundërpyetja ime retorike do të ishte gjithmonë, po mirë, çfarë duhet të bëjmë?! Të luftojmë më shumë?! Të zihemi më shumë?! Të kemi më shumë përplasje?! Të bëjmë një Ukrainë tjetër apo çfarë? Unë do të bëj maksimumin tim për ta shmangur dhe besoj se dhe Edi po bën të njëjtën gjë.
Rama: Natyrisht kemi një mosmarrëveshje të madhe apo le të themi nuk është një mosmarrëveshje sinqerisht, por një distancë mjaft e madhe, më shumë sesa një mosmarrëveshje, kur bëhet fjalë për atë që ju e quani Kosova e Metohija e atë që unë e quaj Kosova. Por, a është kjo një arsye për të mos folur, apo është një arsye për të folur më shumë?! Mendoj që është një arsye për të folur më shumë dhe meqë ra fjala, edhe procesi i normalizimit është në një tjetër pozitë sot.
Takimi i radhës i ‘Open Balkan’ do të jetë në fund të muajit Maj, ku do të zhvillohen disa aktivitete.
Tv Klan