Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë të enjten se qeveria e tij ka refuzuar shumë kërkesa nga shtete të Bashkimit Evropian për të pranuan mijëra azilkërkues, por se ka bërë përjashtim për Italinë.
Një anije italiane pritej të ankorohej në portin e Shëngjinit me grupin e parë prej 16 migrantësh që u kapën në ujërat ndërkombëtare dhe kërkesat për azil të së cilëve do të trajtohen në dy qendra në Shqipëri në vend të Italisë, sipas një marrëveshje 5-vjeçare mes të dyja shteteve.
Rama ka folur nga Luksemburgu në një konferencë të BE-së dhe ka përsëritur se asnjë shtet tjetër nuk do të mund të operojë qendrat për azil në Shqipëri, raportoi AP.
Ai ka shtuar se Shqipëria ndjen një lloj mirënjohje për qindra mijëra shqiptarë që u mirëpritën nga Italia kur ra komunizmi në vitin 1991, apo mbështetjes nga Roma gjatë trazirave ekonomike më 1997 dhe pas tërmetit të 2019-s.
Anija e marinës italiane u nis nga porti i Lampedusas të hënën me 16 burra – 10 nga Bangladeshi dhe gjashtë nga Egjipti – të cilët u shpëtuan në det pas largimit nga Libia, sipas qeverisë italiane.
Numri i migrantëve që arrijnë në Itali nga Afrika e Veriut ka rënë me 61 për qind më 2024 nga viti 2023. Sipas Ministrisë së Brendshme të Italisë, deri më 15 tetor, 54,129 migrantë kanë arritur në Itali përmes detit këtë vit.
Me marrëveshjes 5-vjeçare, deri në 3,000 migrantë të kapur nga gardat italinë në ujërat ndërkombëtare do të strehohen në Shqipëri.