“MEK e ktheu Shqipërinë në platformë sulmi ndaj Iranit”
Për Kryeministrin Rama tensionet në veri të Kosovës janë një vatër zjarri për një konflikt të ri në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Nga Vilnius i Lituanisë ku po merr pjesë në Samitin e NATO-s, gjatë një bashkëbisedimi, Edi Rama tha se vijimi i dialogut mes Serbisë e Kosovës është jetik për sigurinë dhe paqen në rajon.
Të njëjtin shqetësim, Kryeministri e ndau edhe gjatë takimit të kërkuar nga delegacioni i senatorëve amerikanë në Samitin e Vilnius.
“Teksa lehtësimi i dialogut të BE-së punon me të dyja palët, me Beogradin dhe Prishtinën, ka një palë të tretë që është duke u ngritur, grupet ekstreme në veriun e Kosovës që kanë krijuar parajsa për aktivitetet kriminale, trafik droge e trafik armësh. Veriu i Kosovës mund të kthehet në një vatër zjarri. Është koha të realizohet ky dialog i lehtësuar nga BE-ja, me një qëndrim më të fortë të NATO-s nëpërmjet KFOR”.
Teksa i cilësoi sulmet kibernetike sfidë që pritet të zmadhohet, pa komentuar nuk la edhe aksionin e policisë në kampin e muxhahedinëve në Manzë pak javë më parë.
“Marrëveshja ishte e qartë se ata do të qëndronin në Shqipëri të ishin të sigurtë dhe jo për ta kthyer Shqipërinë në një platformë politike për të sulmuar regjimin. Ne u prekëm nga sulmet kiberentike nga Irani. Po përpiqemi të bëjmë shumë të për forcuar sigurinë kibernetike”.
Rama nuk u kursye edhe kur u pyet për ndihmën që NATO i ka ofruar në çështjet e sigurisë kibernetike.
“Jemi duke bërë regjistrim, po na shohin? Jo nuk janë mbështetës të plotë, aq sa na duhet ne. Është deklaratë e mirë për t’u regjistruar”.
Gjatë bashkëbisedimit, Kryeministri vlerësoi mbështetjen e ndërkombëtarëve, pa të cilët tha se shqiptarët nuk do të ekzistonin si komb.
Tv Klan