Pas firmosjes së marrëveshjeve midis dy vendeve, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministri i vendit Edi Rama patën një deklaratë të përbashkët për shtyp. Gjatë fjalës së tij, teksa nuk nguroi për të thënë fjalët më të mira për industrinë ushtarake turke, kryeministri Rama bëri të ditur lajmin se Turqia i dhuron ushtrisë së Republikës sonë një numër të konsiderueshëm dronësh kamikazë.
“Jemi shumë të interesuar dhe patjetër shumë të përmbushur sot pas konfirmimit të një etape të re në fuqizimin e industrisë ushtarake të Republikës së Shqipërisë dhe në fuqizimin e kësaj marrëdhënieje në aspektin ushtarak, ku dihet botërisht ku Turqia ka arritur një nivel shumë të lartë kapacitetesh për prodhimin e industrisë ushtarake dhe ku ne kemi identifikuar konkretisht investime në këtë fushë.
E thashë në hapje të mbledhjes së këshillit dhe e përsëris që unë e çmoj posaçërisht dhuratën e presidentit sot në këtë kohë të trazuar ku bota ka marrë një drejtim të çuditshëm për ta thënë me një fjalë të butë, për t’i dhënë ushtrisë së Republikës së Shqipërisë një numër të konsiderueshëm dronësh kamikazë. Është një dhuratë që nuk duhet të cenojë askënd se kë do të godasë Shqipëria, por besoj se është një dhuratë që mban përbrenda një dhuratë shumë të qartë të Republikës së Turqisë në raport me këtë marrëdhënie që Shqipëria është e pagoditshme“, tha Rama.
Dronët kamikazë janë në gjendje të flurojnë prej një distance rreth 2 mijë kilometrash, ata janë në gjende të presin për një kohë të gjatë dhe sulmojnë vetëm pasi identifikojnë objektin. Në ndryshim nga dronët tradicionalë, dronët kamikazë pas sulmit vetëshkatërrohen.
/tvklan.al