Kryeministri Edi Rama ka marrë përsipër të bindë liderët e BE-së që të kuptojnë se Turqia nuk është një aktor i tretë për rajonin tonë.
Vetë është shumë i bindur për këtë, ndaj në forumin e përvitshëm botëror për paqen dhe sigurinë që mbahet në Stamboll, duke folur për këtë çështje kur përballë tij qëndronte i ulur presidenti Erdogan, ju kërkon liderëve të Unionit të shohin kontributin e Turqisë jo vetëm për Shqipërinë, por dhe të 5 vendet e tjera të rajonit.
Edi Rama: Është po kështu shumë me rëndësi që t’u thuhet qartë dhe fortë të gjithë miqve tanë europianë dhe amerikanë se në Europën Juglindore dhe veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, Turqia nuk është një fuqi e tretë. Më lini, pra, ta them siç duhet: Turqia është një fuqi rajonale dhe për rajonin tonë, për Ballkanin Perëndimor është vendimtare.
Rama konstaton se Turqia ka shërbyer në shumë raste si faktor stabiliteti dhe negociues për zgjidhjen e shumë krizave dhe brenda Bashkimit Europian.
Edi Rama: Turqia është kyç për stabilitetin e Europës dhe po të përfytyronim për një moment të vetëm të kundërtën, mendojeni se sa në mënyrë të tmerrshme do të binte Europa nëse dera e saj e pasme nuk do të ruhej kështu nga Turqia dhe saktësisht falë presidentit tuaj.
Rama nuk e ka ndrojë të flasë dhe për gabimet e Europës në raport me Turqinë.
Edi Rama: Në vend që të angazhohet me Turqinë në mënyrë më kuptimplotë, BE ka mbetur me një sens të kufizuar të pavarësisë së tij strategjike që sillet rreth modeleve normative të rregullave.
Miqësia e Ramës me Erdoganin pohohet me zë të fortë dhe vlerësimin për presidentin turk e përsëriti disa herë.
Edi Rama: Turqia nën udhëheqjen e presidentit Erdogan po shërben si një udhërrëfyes sesi ndërkohë mund të jesh tërësisht parimor, të mos negociosh gjëra të tilla si integriteti territorial, të mos u hapsh shtigje zgjedhjeve të shpejta, por nga ana tjetër mos të harrosh kurrë në fund të fundit që pushteti ka të bëjë me njerëzit.
Forumi Botëror i Turqisë është një platformë që mbledh çdo vit jo vetëm politikëbërës e vendimmarrësit e lartë, por dhe akademikë, gazetarë dhe politikanë që shkëmbejnë këndvështrimet e tyre për sigurinë dhe paqen.
Tv Klan