Kryeministri Edi Rama shprehet në rrjetet sociale se sulmi terrorist në Ankara është një akt i neveritshëm frikacak që Shqipëria e dënon ashpër. Sipas Ramës, vendet në Europë duhet që të mbështesin më mirë Turqinë në luftën e saj kundër terrorizmit.
“Sulmi terrorist në Ankara është një akt i neveritshëm frikacak që Shqipëria e dënon ashpër. Duhet të ndihmojë shumë vende në Evropë që të kuptojnë dhe mbështesin më mirë Turqinë në luftën e saj kundër terrorizmit”, tha Rama.
Edhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë në një reagim në rrjetet sociale e ka dënuar ashpër sulmin terrorist në Turqi.
“Shqipëria dënon ashpër sulmin terrorist në Ankara. Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me Turqinë dhe refuzojmë çdo formë të dhunës terroriste. Mendimet tona janë me të lënduarit, teksa i urojmë atyre shërim të shpejtë”, njoftoi ministria në rrjetet sociale.
Shpërthimi me eksploziv ndodhi në qendër të Ankarasë fare pranë Ministrisë turke të Punëve të Brendshme.
Ngjarja ndodhi orës 9.30 të mëngjesit të së dielës kur dy persona mbërritën me një automjet në një nga zonat më të mbrojtura të kryeqytetit turk. Menjëherë njëri nga autorët hodhi veten në erë duke plagosur dy efektivë policie. Pas shpërthimit u dëgjuan të shtëna armësh.
Autoritetet thanë se atentatori tjetër u neutralizua nga forcat e rendit. Shpërthimi ndodhi vetëm disa orë përpara se mbledhjes së parlamentit të vendit që ndodhet në të njëjtën zonë./tvklan.al