Kryeministri Edi Rama ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe EULEX në veri të Kosovës nga serbët.
Në një reagim në Twitter, Kryeministri shkruan se barrikadat e vendosura nga serbët e veriut të Kosovës duke bllokuar rrugët, janë në kundërshtim me ligjin dhe komplikojnë akoma më shumë situatën.
“Sulmet mbi EULEX Kosovo janë të dënueshme pa asnjë ekuivok ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj Policisë së Kosovës. Rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës, bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë, po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë”.
Rama shton se shtyrja e zgjedhjeve në veri është tregues që Serbia të mos lejojë përshkallëzimin e konfliktit.
“Shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizuese”.
Kryeministri i bën thirrje Serbisë që të ushtrojë ndikimin mbi serbët e veriut të Kosovës, ndërsa kërkon që BE të thërrasë menjëherë tryezën e dialogut mes palëve.
“Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës, pa i justifikuar asesi veprimet e tyre cilatdoqofshin arsyet! Arsyet diskutohen nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor. BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut”.
Edhe BE ka dënuar sulmin ndaj EULEX dhe ka kërkuar heqjen e barrikadave. /tvklan.al