Janë bashkuar të gjitha veglat bashkë
Kryeministri Edi Rama ka aluduar se arsyet përse Sali Berisha u shpall nongrata nga SHBA mund të lidhen me marrëdhëniet e tij Moskën.
“Një vegël të Kremlinit e kemi të ulur këmbëkryq në Tiranë, atë të nongratës dhe nuk ka sit ë mos mendosh se ai korrupsioni madhor dhe ai minim i demokracisë se këtu kemi të bëjmë me një vegël. Vegël këtij, vegël andej, janë bashkuar veglat bashkë, lloj-lloj spiunësh.”
E këtu përsërit se protestat e paralajmëruara të opozitës janë pjesë e strategjisë destabilizuese të Putinit, ndërsa risjell në vëmendje se kur ishin në pushtet, besueshmëria e qeverisë Berisha në arenën ndërkombëtare ishte në nivelin më të ulët të mundshëm.
“Do të na bashkojnë me Amerikën ata. Do të na bëjnë më të fortë në Europë ata. Ata që i kishin ulur pantollonat deri në fund para të huajve. Vitet e fundit nuk ju vinte askush për vizitë, jo më të imagjohej që të vinte i gjithë Bashkimi Europian këtu për të bërë mbledhje”.
Rama komenton si qëndrim antishqiptare atë që Ilir Meta ka mbajtur në një intervistë e një radio londineze ku akuzon Ramën për largimin e shqiptarëve drejt Britanisë.
“Ilir Metën duke marrë në mbrojtje qeverinë britanike nga unë. Qeverinë britanike që vetë partia që e ka atë qeveri nuk e mbron dot për atë që bëri ajo ministrja ndaj shqiptarëve, e mbron Ilir Meta.”
Në bashkëbisedimet e zhvilluara gjatë paradites në Lushnje e Mallkastër me qytetarë e fermerë, ben diferencën me paraardhësit demokratë dhe për vëmendjen e treguar ndaj bujqësisë.
“120 milionë euro eksporte kishte Shqipëria dhe flasin këta për bujqësi e na tregojnë këta: Po ikin, po i kin njerëzit se nuk ka, nuk ka. Kush po i bën këto eksporte? Të vdekurit po i bëjnë?“
Një nga përpunuesit në Lushnje që ankohet për mungesën e krahut të punës, përveç se i bën thirrje bashkatdhetarëve të vijnë të punojnë për të, pohon publikisht se shmang një pjesë të taksave.
Përpunuesi: Të kthehen se ne rrogat i kemi rritur më shumë nga se deklarojmë dhe këtë ju them hapur këtu.
Por kryeministrit nuk i erdhi surprizë deklarata e sinqeritetit nga bashkëbiseduesi.
Edi Rama: Natyrisht që të gjithë marrin më shumë seç deklarohen dhe ky është problem i madh për ne si shtet, por tek fshati ne jemi të vetëdijshëm për këtë dhe nuk e kemi gërmuar dhe më shumë këtë pjesë.
Ankesave të fermerëve se kanë vështirësi për të gjetur toka bujqësore, Rama ju përgjigjet duke ripërsëritur se qeveria po harton projektinligjin që synon të rrisë taksimin për ata që e lënë tokën bujqësore pa punuar.
Tv Klan