Rama: Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë si sot, jemi në një nivel tjetër

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Samitin III të Diasporës theksoi se sot shqiptarët janë në pozita që nuk kanë qenë asnjëherë më parë në të gjitha vendet ku jetojnë në rajon.

Sipas tij, shqiptarët janë në rrugën e duhur për t’u ngjitur në majën ku do i lejojë të shkruajnë fjalët e tyre në historinë e botës.

“Tek prisnim të na piqeshin kushtet na u kalbën dëshirat, shkruante ironikisht Faik Konica nga mërgimi. Për fat të mirë këtë herë unë besoj në dritën ogurmirë të 111 vjetorit të pavarësisë jo vetëm kushtet, por edhe dëshirat janë mjaftueshmërisht të pjekura për ta besuar profecinë e një admiruesi të madh të shqiptarëve Maximilian Lambertzit. Historia e vërtetë e njerëzimit, shkruan ai shumë kohë më parë, do të jetë e plotë vetëm atëherë kur shqiptarët do të lejohen ta shkruajnë fjalën e tyre. Besoj se 10 vite më parë nuk do të ishim dot në gjendje ta thoshim atë që mund të themi sot me plot gojën që Shqipëria, Kosova, RMV, Mali i Zi, shqiptarët kanë shumë arsye për të qenë të pakënaqur, kanë shumë arsye për të kërkuar shumë më tepër sepse vërtetë ka shumë më tepër për të bërë, por ama si sot shqiptarët nuk kanë qenë kurrë, asnjëherë më parë. Si sot shqiptarët nuk e kanë pasur kurrë më parë peshën e tyre jo vetëm për të marrë vendimet që dëshirojnë aty ku janë, qofshin në Republika si Shqipëria dhe si Kosova, qofshin në shtet ku janë popullsi shtetformuese, qoftë minoritete dhe si kurrë më parë faktet nuk kanë folur dhe flasin sot në mënyrë inkurajuese për të ushqyer besimin që kemi ende për të bërë për t’u ngjitur në majën ku do të shkruhet fjala jonë në historinë e botës, por jemi sot në një nivel komplet tjetër nga aq poshtë ku ishim kur Shqipëria ishte shumë larg së qeni vendi që do dëshirohej thuajse 10 milionë turistë në vit apo vendi që do dëshirohej si stacioni nga BE për të ardhur dhe për të bërë samitet e veta. Kur Kosova ishte shumë larg asaj që është sot për një mijë e një arsye, kur në Maqedoninë e Veriut Ali Ahmeti luftonte për të drejtën e një flamuri që nuk mund të ishte dot në përmasa të barabarta me flamurin e Maqedonisë, por duhet të ishte një flamur më i vogël dhe luftohej për centimetrat e një flamuri dhe ndërkohë flamuri shqiptar i vendosur nëpër ballkone për ditë feste mund të ishte një arsye që të shkoje në burg. Ndërkohë që sot flamuri shqiptar aty jo vetëm është i pakufizuar nga centimetrat për ata që duan ta qepin, por sot ne kemi në Maqedoninë e Veriut shqiptarët që janë jo vetëm pjesë e pandashme e shtetit, por edhe e qeverisje, me kryetarin e parlamentit, me ministrin e Jashtëm, me zv/kryeministrin etj. Pa folur pastaj për Malin e Zi që nëse do të na thoshin 10 vjet më parë që shikoni se në jetën tuaj për së gjalli do të shikoni shqiptar që do drejtojë Malin e Zi, do mendonim që do ishte rezultat i ndonjë lufte që do kishte shkatërruar gjithë të tjerët dhe çuditërisht do kishte shpëtuar vetëm shqiptarët”, tha Rama.

Kryeministri komentoi edhe strategjinë për diasporën ku theksoi se duhet riparë në vitin 2025 për t’u aktualizuar.

“Janë pjesë e strategjisë kombëtare për diasporën që e ka afatin e vet në 2025 dhe që deri në 2025 duhet riparë e gjitha për t’u aktualizuar në funksion dhe të gjitha këtyre komunikimeve dhe atyre gjërave që duhet të shkojnë më shpejt dhe më mirë”, tha ai./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share