Nga Erseka ku prezantoi projektet për këtë bashki, Kryeministri Edi Rama foli për punën e qeverisë që ai drejton, ku ndër të tjera përmendi edhe aspektin e sigurisë.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama deklaroi se në 32 vite, sot në Shqipëri është numri më i ulët i vrasjeve.
“Shqipëria sot e këtij viti ka numrin më të ulët të vrasjeve në 32 vjet. Në këto vite mesatarja e vrasjeve është sa gjysma e vrasjeve të viteve të fundit para se ne të merrnim detyrën. E kuptoj shumë mirë që e keqja harrohet shpejt, e mira s’ka fund, ne kemi shumë për të bërë sepse e kemi rritur ekonominë, i kemi rritur dhe pagat, por dhe të tjerët rriten nuk rrinë në vend”.
Kryeministri përmendi edhe punën e bërë nga qeveria për dixhitalizimin e shërbimeve publike.
“Që të krahasosh Shqipërinë sot me Shqipërinë e para disa viteve dhe të thuash që gjërat këtu kanë shkuar keq e më keq, do të thotë që o të jesh totalisht i verbuar nga urrejtja ose të jesh totalisht i pakuptuar për të kuptuar të vërtetën. Flasim për korrupsion, patjetër që ka korrupsion. Por nuk ishte para 100 vjetëve, por deri para 5-6 viteve kur ju duhet të shkonit në radhë për të paguar faturën e energjisë, kur duhet të shkonit në sportele për të marrë një certifikatë ndërsa sot Shqipëria është vendi i 8 në Europë për shërbimet publike dixhitale sepse 95% e shërbimeve sot qytetari shqiptar i merr pa lëvizur fare nga vendi thjesht duke shkuar te e-Albania dhe duke marrë shërbimin që i takon dhe pa pasur nevojë të paguajë asgjë”, u shpreh Kryeministri Edi Rama. /tvklan.al