Edi Rama është i vetëdijshëm që ambasadorët e akredituar në Shqipëri, raportet për shtetet e tyre në 2025-ën do t’i kenë të përqendruara tek zgjedhjet e 11 Majit. Në takimin traditë të fundvitit, kryeministri u tregoi edhe sekretin e fitoreve të tij.
“Thuhet lart e poshtë: “Ai fiton, se opozita është e dobët”. Më lini t’ju them se kjo është një gjysmë e vërtetë, pra një gënjeshtër e madhe, sepse, si burrë, isha i bekuar kur Linda ra dakord të martohej me mua. E si një rrjedhojë e paqëllimtë e këtij bekimi, ndodhi që u bëra Kryeministër me të në krah, që do të thotë, me opozitën më të ashpër në shtëpi! Pa britma, pa sharje, pa shpifje, të cilat, në fund të fundit, i përballon lehtë, por me pyetje të vështira e me argumente të forta për t’u rrëzuar dhe, meqë ra fjala, ose natën vonë, ose herët në mëngjes. Pra, nëse ka një arsye kryesore për fitoret e mia, është se jam jo vetëm i stërvitur mirë, por edhe në mënyrë të pandërprerë me opozitën më të ashpër dhe më të mirëpërgatitur. Merreni kështu siç po ua them, mund të jetë edhe më keq sesa kaq sa po them!”
Pavarësisht se për kë do ta hedhin votën, ai thotë se është i sigurt që shqiptarët do të orientohen nga vlerat europiane, kur t’i drejtohen kutive të votimit.
“Besoj, kam një ide mjaft të mirë se kush do të dalë fitues, por, përtej shakave, mund t’ju siguroj se, pavarësisht se për kë palë politike do të votojnë shqiptarët, ata që të gjithë do të vendosin t’u qëndrojnë vlerave dhe parimeve të komunitetit euroatlantik, të nxisin arritjen e objektivit historik për t’u bërë anëtarë të mirë e krenarë të familjes së bashkuar evropiane, të mbështetin liritë individuale, shtetin e së drejtës dhe demokracinë. Këto janë zotime të panegociueshme që shkojnë përtej moshës, gjinisë, krahinës apo bindjes politike të shqiptarëve. Shqipëria nuk ka plan B, por vetëm një plan të padevijueshëm e të padiskutueshëm, atë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Brenda kësaj dekade, do të japim gjithçka kemi, që kjo të bëhet realitet.
Gjithsesi të gjitha fitoret ia dedikon ekipit të tij.
“Thuhen vërdallë lloj-soj gjërash për qeverinë time, po, edhe pse jam shumë më tepër kritik me veten sesa dukem dhe e di që kjo nuk është aq e vështirë, jam po kështu krenar për gjithë punën që kam bërë me këta njerëz këtu”.
Ndjen keqardhje që mes ambasadorëve të pranishëm nuk është ambasadori rus në pritjen e tij.
“Do doja që karrigia e Federatës Ruse të mos ishte bosh sonte, por mungesa e përfaqësuesit të saj nuk ishte zgjedhja jonë. Ishte zgjedhja e rëndë e vendit të tij, për të dalë nga radhët e paqedashësve me një agresion ushtarak të paprovokuar dhe të padrejtë kundër Ukrainës”.
Ndërsa shpreson që administrata e re amerikane të forcojë lidhjen mes dy vendeve tona.
“Ne kremtojmë aleancën dhe miqësinë tonë të fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Uroj që viti i ri, i cili vjen pas fushatës më të gjatë e më të nxehtë në historinë e tyre të jashtëzakonshme të betejave demokratike dhe me një President të ri në Shtëpinë e Bardhë, të sjellë mundësi te reja për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve tona”.
Nuk mungojnë urimet për paqe në Lindjen e Mesme, por mbi të gjitha për rajonin tonë, ku sipas tij, fati i të ardhmes është në duart e diplomacisë.
“Më lejoni që sonte t’iu përcjell urimet më të veçanta për një Vit të Ri të shkëlqyer gjithë kolegëve tuaj nga Ballkani Perëndimor dhe më lini të shpreh bindjen se fati i këtij rajoni në këto kohë është në duart tona, si kurrë më parë. Duhet të jemi shumë të vetëdijshëm se mundësitë e sotme nuk janë të mirëqena dhe duhet të punojmë të gjithë së bashku që ato të mos zhduken, por të marrim maksimumin prej tyre. Po, sigurisht, nuk biem dakord për çdo gjë dhe kjo është normale. Madje, e kundërta e kësaj mund të ishte shqetësuese për një rajon, ku jo shumë kohë më parë as nuk uleshim bashkë jo që prej vitesh, po do guxoja të thoja prej dekadash. Ky është momenti ynë dhe është përgjegjësia jonë për të mos ta shkatërruar, por për të ndërtuar mbi të duke shfrytëzuar çdo hapësirë dhe çdo mundësi për ta shtrirë tregun tonë më larg dhe për t’i sjellë qytetarët tanë më afër. Shqipëria do të vazhdojë të punojë pa u lodhur për integrimin duke nxitur paqen dhe duke bashkëpunuar përmes dialogut me këdo”.
Rendit gjithë arritjet e Shqipërisë në rrugëtimin europian dhe shpreh besimin për mbylljen e bisedimeve në 2027-ën.
“Urojmë që viti i ri të bëjë të fluturojmë sërish, pa asnjë vonesë, për hapjen e të tjerë grup kapitujsh, për t’iu përmbajtur objektivit shumë ambicioz që kemi vendosur bashkë me Komisionin e BE-së për t’i mbyllur bisedimet në fund të vitit 2027. E di shumë mirë që askush nuk do të na e bëjë të lehtë. Çdo centimetër që bëjmë përpara do të kërkojë përpjekje edhe më të mëdha, por dua që ta dini të gjithë se kjo është pikërisht ajo që duam, pa asnjë iluzion e asnjë pishman. Na takon neve ta marrim vendin e Shqipërisë në Europë, jo juve të na e dhuroni”.
Në këtë pikë kujton edhe pengesat e shkuara në rrugën drejt unionit.
“Më kujtohet sekëlldia i disa prej paraardhësve tuaj, të cilëve u duhej t’i justifikonin në mënyrë të vazhdueshme vetot e vonesat që na imponuan, pas rekomandimeve të Komisionit për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë. Për ta thënë butë, nuk qe e lehtë, por ishte një e përpjetë jashtë mase e vlefshme për të mësuar dhe, po aq, një burim zemërimi motivues për t’iu vërtetuar atyre kryeqyteteve se e kishin gabim. Ajo fazë ka përfunduar, por betejat tona për të hyrë në BE janë larg mbarimit. Megjithatë, Silvio dhe gjithë kolegët e tij nga këto kryeqytete të veçanta, përfshi Konstandinën e admirueshme, nuk kanë më pse justifikojnë asgjë që të na e bëjnë më të lehtë të dëgjojmë pjesët e vështira të këtij rrugëtimi.
Duke mos dalë nga kostumi i politikanit që nuk flet dot shkurt, Rama rreshtoi gjithë sukseset e qeverisë dhe e mbylli fjalimin e gjatë me urimin për familjet e ambasadorëve.
Tv Klan