Rama: Rezultati në Shkodër, sfida më e madhe që më është bërë

Fitoren e socialistëve në Bashkinë e Shkodrës si dhe të këshillit bashkiak në këtë qytet, Kryeministri Edi Rama e konsideron si sfidën më të madhe që i është bërë.

Nga Shkodra, për të bërë turin e falenderimit për fitoren e PS në Shkodër, Rama foli për votuesit që i dhanë fitoren socialistëve në këtë qytet.

E sipas Kryeministrit, diferencën e kanë bërë ata votues të cilët kanë votuar me zemër dhe jo me mendje.

“Falenderim nga zemra për të gjithë ata që në 14 Maj dolën votuan Benetin dhe votuan PS. Për herë të parë jemi forcë e parë politike në këshillin bashkiak. Dua të falenderoj edhe ata që nuk dolën të votojnë duke e parë të pamundur që të votojnë për Benetin dhe për ne por duke e vlerësuar si të pamundur për të dalë për të votuar përsëri për ata që përsëri u kthyen jo vetëm në zhgënjim por në një njollë për gjithë demokratët shqiptarë. Dua t’ju them të gjithëve që unë për veten time këtë rezultat në Shkodër e konsideroj si sfidën më të madhe që më është bërë mua dhe i është bërë PS. Patëm dhe një debat me mamicën, për ju është Elisa, për punën e zemrës. Sepse unë mendoj që vota e Shkodrës ka qenë përtej votës së socialistëve, përtej votës së atyre që e kanë votuar tradicionalisht, ka qenë një votë me mendje më shumë se sa me zemër dhe kjo është pjesa më e rrezikshme e kësaj vote.

Ata që kanë bërë diferencën në këto zgjedhje janë ata që nuk e kanë votuar tradicionalisht PS por kanë gjykuar që mbase këtë herë është rasti për të mos vazhduar të votojnë me sytë mbyllur dhe pa mendje, por me mendje. Se kush të voton me zemër të jep një kredi shumë afatgjatë siç ka ndodhur me palën tjetër. Ajo ka qenë për shumë vite një kredi pa interesa që u kthye në një dëm të jashtëzakonshëm për ata që votuan, por ishte një votë zemre. Dhe unë e kam parë nga eksperienca ime këtu që kam ardhur 9 herë për të bërë fushatë dhe në 8 fushatat e mëparshme mendja e shumicës ishte e mbyllur dhe nuk kishte fare hapësirë për të lënë aty mesazhin. Veshët ishin të mbyllura, sytë ishin mbyllur dhe zemra rrihte vetëm djathtas. Këtë herë kjo është një gjë e kombinuar. Ata që ne na kanë votuar gjithmonë na kanë votuar me zemër ndërsa pjesa që ka bërë diferencën na ka votuar me mendje”.

Votën e marrë në Shkodër, Rama tha se duhet t’ju kthehet qytetarëve në punë e projekte.

“Ne e kemi detyrim dyfishim këtë nder që njerëzit na kanë bërë, e kanë bërë dhe një pjesë tjetër që nuk janë të majtë, ta kthejmë në një shlyerje borxhi që duhet të ketë parasysh këtë fakt: që nga mënyra si Beneti do qeverisë bashkinë. I kam thënë sot që Bashkia e Shkodrës duhet të jetë bashkia e të gjithëve dhe këtë duhet ta reflektojë jo thjesht dakord investimet bëhen për të gjithë, por duhet ta reflektojë që duhet vlerësim i të gjithë atyre burimeve njerëzore që janë aty dhe në bazë të meritës duhet ndarë të njomët me të thatët. Mund të jenë aty ata që i kanë përkitur Partisë Demokratike, por që janë edhe njerëz të zotë. Ata nuk duhet të preken. Benet, është e vërtetë që të sollën në pushtet socialistët, por ti mos e harro që je demokrat”. /tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share