Rama për ndryshimet kushtetuese: RMV ka bërë përpjekje epike, fatale nëse do të kishte një kthim mbrapa në të shkuarën

Pas përfundimit të mbledhjes mes dy qeverive, Kryeministrat Edi Rama dhe Dimitar Kovaçevski zhvilluan një konferencë për mediat. Ato u pyetën në lidhje me ndryshimet kushtetuese të Maqedonisë së Veriut që duhet të jenë në përputhje me kornizën negociuese të miratuar nga Bashkimi Evropian.

Në lidhje me këtë çështje, Rama tha se do të ishte e pafalshme një kthim mbrapa në histori të Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, ndryshimet e kërkuara dhe të dakordësuara vetëm “ligësia, dritëshkurtësia, dhe patriotizmi i shtirur mund t’i kthejnë në arsye për t’u përçarë mes veti dhe në arsye për të krijuar përsëri probleme për këtë vend”.

“Ne kemi bërë së bashku, Shqipëria dhe RMV sepse siç e thashë fati u desh që të bashkohemi në dhimbje për një periudhë relativisht të gjatë për ne, dhe absolutisht të gjatë për ju në pritje që të na njihej merita dhe të na njihej e drejta për të filluar bisedimet për anëtarësim. Për ju ka qenë më e vështirë për të gjitha ato arsye që i dini më mirë se unë por edhe për ne nuk ka qenë e lehtë. Ndryshimet e kërkuara në këtë rast për RMV dhe të dakordësuara më duket se vetëm ligësia, dritëshkurtësia, dhe patriotizmi i shtirur mund t’i kthejnë në arsye për t’u përçarë mes veti dhe në arsye për të krijuar përsëri probleme për këtë vend, ndërkohë që ky vend ka nevojë të vrapojë si vendet e tjera për të kapur kohën e humbur. Pse e them këtë? Sepse në dijeninë time, Kushtetuta juaj ka një sërë minoritetesh të përcaktuara. Që do të thotë që është një model i njohur, nuk është një shpikje dhe nuk është nj rast unikal në bibliotekën e kushtetutave të planetit dhe që duhet plotësuar. Kaq e thjeshtë është. Nuk e di sa ndihmon, por mund t’ju them që ne kemi një model tjetër në Shqipëri. Ama ne kemi njohur në parlament një numër jo të vogël minoritetesh përfshirë dhe minoritetin bullgar që ka një prezencë të veten modeste, por që e ka një prezencë të veten në Shqipëri dhe nuk më duket se jemi të kërcënuar nga ndonjë minoritet. Përkundrazi ne i konsiderojmë minoritetet një pasuri të madhe. Ura lidhëse të rëndësishme sidomos në momente kritike. Për ne është absolutisht në interesin tonë, jo në interesin e tyre, por në interesin tonë që ato të jenë dhe të ndihen sa më mirë në vendin tonë dhe të mos ndjejnë asnjë dallim nga qytetarët e tjerë që janë qytetarët me kombësi shqiptare. Besoj që populli këtu është më i mençur si kudo xhanëm, se sa politikanët dhe nuk besoj se do ja falë kujt ligësinë, shtirjen kinse patriotike, dritshkurtësinë e rimarrjes peng të RMV ndërkohë që kapërcimi i bërë është epokal. Nuk mund të kapërcesh nga një epokë në tjetër dhe pastaj të kthehesh mbrapsht tek epoka që ke kapërcyer me aq shumë mundim. Nuk dua as ta mendoj që RMV mund të rikthehet në një planzhon në të shkuarën dhe të vetëizolohet në mënyrën më të pakuptimtë në kushtet kur është ringritur dhe ka fituar një dinjitet dhe mund të jua them këtë me bindjen e dikujt që është dëshmitar, ka fituar një dinjitet të rëndësishëm ndërkombëtar. Shikohet me shumë respekt, shikohet me shumë vetëdije nga të gjithë si një vend që ka bërë përpjekje epike për të afirmuar përkatësinë e vet euro-atlantike dhe kjo ka një rëndësi të madhe për të gjitha, edhe ekonominë, zhvillimin social, dhe proceset e brendshme. Kështu që ndjesë që u zgjata, por për mua do ishte fatale që të kishim një kthim mbrapa me sy mbyllur në histori që duhet konsideruar e shkuara dhe nuk duhet të ketë asnjë problem që ndër plot se janë një sërë minoritetet e përcaktuara në Kushtetutën tuaj të shënohen edhe kush tjetër këtu ka qoftë edhe një person të vetëm”, u shpreh Rama./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share