Rama: Nuk shkova në Prishtinë për t’u martuar me Albin Kurtin, nuk ndihem i fyer si një dhëndër të cilit nusja nuk i doli në takim

Kryeministri Edi Rama në një konferencë për shtyp nga Podgorica pas takimit me Dritan Abazoviç komentoi edhe vizitën e djeshme në Prishtinë ku nuk u takua me Albin Kurtin, kryeministrin e Kosovës.

Kreu i qeverisë shqiptare tha se nuk shkoi atje për “t’u martuar me Albinin”. Ai u shpreh se nuk ka asnjë problem personal dhe institucional me Kurtin.

Rama theksoi se në samitin e Procesit të Berlinit që do të zhvillohet në Tiranë, Kurti është i ftuar. Madje sipas tij, në Tiranë, Kurti është në shtëpinë e vet duke shtuar se “mund edhe të futet në zgjedhje për t’u bërë i zoti i shtëpisë”.

 

Nuk shkova në Prishtinë për t’u martuar me Albinin dhe nuk ndihem i fyer si një dhëndër të cilit nusja nuk i doli në takim. Shkova në Prishtinë siç erdha dhe këtu, siç do shkoj dhe pas pak në Beograd për të pasur takime si kryeministër i Shqipërisë. Në mënyrën më absolute nuk kam asnjë problem personal dhe aq më pak pastaj një problem institucional me kryeministrin e Kosovës. Kam vetëm qëndrime të kundërta lidhur me një situatë të caktuar. Kaq. Natyrisht këtë situatë e përjetojmë dhe duam ta trajtojmë në mënyra të ndryshme. Unë e përjetoj si një situatë që duhet ta trajtojmë së bashku duke ulur dhe biseduar. Albini e përjeton si një situatë që duhet ta trajtojë pa u takuar dhe pa biseduar dhe është në të drejtën e tij. Nuk jam këtu për të bërë interpretime të natyrës psikologjike, folklorike, nacional heroike. Thjesht thashë dhe përsëris që në Takimin e Tiranës, pavarësisht se kush është qëndrimi i BE-së, pavarësisht se cilat janë qëndrimet e vendeve të tjera, në Takimin e Tiranë për procesin e Berlinit Kryeministri i Kosovës do të jetë i ftuar. Unë dëshiroj që të jemi të gjashtë, bashkë aty, përtej faktit që mund të mos jetë i ftuar ose mund të mos e ftojnë në vende të tjera.  Në Tiranë, Albin Kurti është në shtëpinë e vet, ku siç e dini madje mund edhe të futet në zgjedhje për t’u bërë i zoti i shtëpisë, nuk ka asnjë problem”, tha Rama./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share