Gjatë diskutimeve mbi Ballkanin Perëndimor në Konferencën e Sigurisë në Mynih, kryeministri i Shqipërisë, Rama u ndal dhe te marrëdhëniet Kosovë-Serbi.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se është e ditur botërisht që Kosova e ka bërë zgjedhjen e saj krah BE-së dhe SHBA-ve, sakaq shtoi se ende Serbia nuk e ka bërë një zgjedhje të tillë.
Rama theksoi se Kosova nuk po negocion me Serbinë dhe me SHBA dhe ndaj duhet t’i plotësojë pikat që i kërkohen, t’i dorëzojë në Bruksel dhe më pas i takon BE-së që të merret me Serbinë dhe të finalizojë marrëveshjen, raporton Euronews.al.
“Serbia e ka prishur punën jo kur ndodhi Banjska por kur president Vuçiç shpalli ditë zie për ata qqë e kishin kryer sulmin. Por nuk duhen harruar objektivat, ku duhet të qëndrojë Kosova. Kosova nuk po negocion me Serbinë, Kosova, thjesht po negocion me BE-në dhe SHBA-të, siç ne po negociojmë me BE-në. Ka një plan franko-gjerman që është shumë i qartë me gjëra që duhet të bëjnë të dyja palët. Pse duhet të shkojë Kosova në Bruksel ndërkohë që të mbajë anën e saj të nënshkruaj 5 gjëra dhe t’i thotë Lajçak që jemi të gatshëm të bëjmë pjesën tonë dhe t’i lënë ata të merren me palën tjetër. Nuk është justifikim për të mos bërë gjëra kur pala tjetër sillet keq”, ka deklaruar Rama.
“Nuk ka të bëjë me Kosovën dhe Serbinë ka të bëjë me një kuadër ku janë BE dhe SHBA. Serbia me gjithë progresin që ka bërë nuk është një vend etalon, të thuash pse s’I ka bërë, por t’i bën pjesën tënde. Edhe ne në Shqipëri nuk na pëlqejnë të gjitha gjërat që bëjmë, por duhet t’i bëjmë, janë të nevojshme nëse duhet të jemi në këtë komunitet”, tha Rama.