KRYEMINISTRI ME BIZNESET NË HOLANDË: KJO DO TË NDIKOJË NË TË ARDHMEN E SHQIPËRISË DHE EVROPËS
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga Holanda se në Shqipëri janë zbuluar sasi të mëdha gazi dhe nafte. Këtë deklaratë Rama e bëri gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësues të biznesit holandezë, të cilët i ftoj të investojnë në Shqipëri. Rama tha se zbulimi i gazit dhe naftës do të ndikojë në të ardhen e Shqipërisë dhe Europës.
Sasi të mëdha gazi dhe nafte janë zbuluar nga SHELL në vendin tonë. Këtë lajm e deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësues të biznesit në Holandë. Rama tha se ky zbulim nukdo të ndikojë vetëm në të ardhmen e Shqipërisë, por dhe të Europës.
Kemi shumë shpresë që së shpejti do të mund të ndajmë me opinionin tonë publik dhe pse jo me atë rajonal dhe përtej rajonit një zbulim shumë të rëndësishëm. Shell po arrin të realizojë në vendin tonë. Ata hezitojnë të flasin për shifra për momentin por shenjat tregojnë se mund të jemi në fazën e një zbulimi shumë të rëndësishëm në tokë të gazit dhe naftës që jo vetëm do të ndikojë jashtë mase të ardhmen e vendit tonë, por në këto rrethana të caktuara do të luajë rol në të ardhmen energjitike të Evropës, deklaroi Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama
Për investimet foli dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, e cila i njohu biznesmenët me transformimin e sektorit të aviacionit civil.
Shqipëria është një vend që rritet dita e ditës.Kemi nisur që të transformojmë sektorin e aviacionit civil. Një prej aeroporteve më të mëdha në rajon ka nisur që të ndërtohet në Vlorë, i cili synon që të jetë ofrojë fluturime nga përtej oqeanit që aktualisht nuk është diçka që behet në rajon, por Vlora do ta ofrojë këtë, me një pistë prej 3.2 km Vlora do të mund të presë të gjitha fluturimet përtej oqeanit dhe ta kthejë Shqipërinë në një qendër për Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu infrastruktura është një nga shtyllat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit, deklaroi Belinda Balluku Ministre e Infrastrukturës
Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj bëri të ditur lehtësitë fiskale që Shqipëria ofron për investitorët e huaj, duke ftuar njëkohësisht bizneset holandeze të shohin vendin tonë si një mundësi.
Ne kemi një kuadër ligjor mjaft miqësore për investuesit. Kemi një ligj për investimet strategjike, që mbështetet në vlerën dhe numrin e vendeve të punës që krijon ky investim. Kemi disa sektorë strategjikë si energjia apo turizmi. Kemi lehtësira fiskale për disa fusha. Po kështu kemi zhvilluar një sërë zonash të lira për zhvillimin ekonomik. Për vendet si ky i yni investitorët përqendrohen për të marrë lehtësira sa i takon taksave, deklaroi Delina Ibrahimaj, Ministre e Financave
Kreu i i qeverisë siguroi bizneset se në Shqipëri ka stabilitet politik edhe pse para kryeministrisë tha ai zhvillohen protesta, por nuk ka asgjë shqetësuese për investimet e huaja./KLanNews