Rama në Selanik, momenti kur takohet me Mitsotakis

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Selanik të Greqisë ku është takuar me homologun e tij, Kyriakos Mitsotakis. Kreu i qeverisë do të marrë pjesë në një samit SEECP, (procesi i bashkëpunimit të Europës Juglindore).

Kryeministri Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale një video teksa takohet me Mitsotakis. Ndërkohë pjesë e këtij samiti është bërë edhe presidenti i Këshillit të Europës, Charles Michel. E pranishme është edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) filloi me iniciativën e Bullgarisë në vitin 1996. Në takimin e kryesuar në Sofje, vendet e Evropës Juglindore (EJL) hodhën themelet për bashkëpunimin rajonal me qëllim krijimin e një atmosfere besimi, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe stabilitetin.

Një karakteristikë e veçantë e SEECP-së është forma origjinale e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit e nisur me iniciativën e tyre dhe jo me iniciativën e ndonjë organizate apo shteti tjetër ndërkombëtar.

Qëllimet bazë të bashkëpunimit rajonal brenda SEECP përfshijnë forcimin e sigurisë dhe situatës politike, intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike dhe bashkëpunimin në fushat e burimeve njerëzore, demokracisë, drejtësisë dhe betejës kundër aktiviteteve të paligjshme.

Synimi i SEECP është që t’u mundësojë anëtarëve të tij t’i afrohen strukturave evropiane dhe euroatlantike përmes forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe transformimit të rajonit në një zonë paqeje dhe stabiliteti./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share