Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e megjithatë Kosova e ka mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë. Kështu u shpreh nga Kievi Kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili ndodhet për vizitë në Ukrainë së bashku me Kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç.
Rama tha se 5 shtete të Ballkanit Perëndimor që janë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që të gjitha e mbështesin Ukrainën në këtë luftë.
Por është edhe një shtet i gjashtë, theksoi Rama, Kosova e cila edhe pse nuk njihet nga Ukraina, ndaj kësaj të fundit ka shprehur mbështetjen.
“Ballkani Perëndimor ka 5 vendeve në Kombet e Bashkuara, të gjitha ato janë rreshtuar krah Ukrainës, pavarësisht historisë së ndryshme, pavarësisht kontekstit të ndryshëm, pavarësisht marrëdhënieve të ndryshme me Rusinë sepse është krejt ndryshe se si e shohim botën përkundrejt Rusisë në qoftë se merrni për shembull Shqipërinë dhe Serbinë apo Malin e Zi dhe Bosnjen. Por të gjitha janë në mbështetje.
Por ka edhe një vend të gjashtë, që Ukraina nuk e ka njohur. Kosova, e cila pavarësisht kësaj po bën saktësisht të njëjtën gjë që po bëjmë të gjithë me mbështetjen e plotë.
Do të thotë që këtu jemi në një linjë të mirëpërkufizuar të çkja jemi e çka përfaqësojmë ne. Është gjëja e duhur për t’u bërë. Ukraina kërkon? Duhet t’i japet statusi kandidat dhe populli ukrainas duhet ta dijë tani që në sytë e BE e ardhmja e tyre është në familjen e BE”, deklaroi Kryeministri Edi Rama. /tvklan.al