Rama: Na duhet një NATO në mbrojtje të arsimit

Kryeministri shqiptar mendon se qeveritë në të gjithë botën po shpenzojnë më shumë nga buxhetet e tyre për mbrojtjen dhe armatimet se për arsimin.

Propozimi konkret që Rama jep në fjalën përshëndetëse në ministerialin për arsimin e lartë europian që po mbahet në Tiranë, është krijimi i një organizate të madhe të ngjashme në strukture me Aleancën e Atlantikut të Veriut, por që të ketë në fokus politikat dhe operacionet për arsimin.

“Armët janë të rëndësishme në një moment të caktuar kur vihet në rrezik jeta, por kur sheh që bota demokratike ka patur mundësinë që të përdorë ose shfrytëzojë kaq shumë para për të bërë rezistencë ndaj një agresioni dhe ndërkohë në fushën e arsimit fatkeqësisht vazhdon të mbetet si një pjesë e vogël e këtyre buxheteve, kjo gjë duhet të na bëjë të reflektojmë. Mendoj që ka ardhur koha që ne të ndërtojmë një NATO të arsimit”, tha Rama.

Akademikë, përfaqësues të KE-së e krerët e ministrive të arsimit të vendeve që janë pjese e procesit të Bolonjës, do të diskutojnë për dy ditë në Tirane mbi sfidat aktuale të arsimit të lartë. Shqipëria ka afro 20 vite që zbaton në universitetet e vendit, ciklet e studimit të procesit të Bolonjës.

Ka ekspertë të fushës që mendojnë që ky proces ka dështuar e ka të tjerë që i kundërshtojnë të parët. Qeveria shqiptare thotë se arsimi i lartë në vend ka hyrë në një etapë të re me ndërkombëtarizimin e universiteteve. Një marrëveshje e tillë u firmos të martën mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe universitetit austriak 150 vjeçar të BOKU-t.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share