Rama: Fqinjët nuk i zgjedhim. Mbase do të kishim dashur të kemi fqinjë të tjerë
Në një konferencë për mediat me kryeministrin e Spanjës Pedro Sanchez, kryeministri i vendit Edi Rama është shprehur se e mbështet qeverinë e Kosovës dhe autoritetet për zbatimin e marrëveshjes përsa i përket reciprocitetit të targave.
Edi Rama: Siç e thashë më parë, ushtrimi i sovranitetit në të gjithë territorin e shtetit të Kosovës bazuar në marrëveshjen e dakordësuar mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel lidhur me temën që është bërë shkak i këtij acarimi, nuk është një e drejtë, por detyrë.
Unë e mbështes qeverinë e Kosovës dhe autoritetet në Kosovë që kërkojnë që marrëveshja të zbatohet, ashtu sikundër e përgëzoj kryeministrin e Kosovës për sensin e vetëpërmbajtjes dhe për dëgjimin e aleatëve që sugjeruan një shtyrje 30 ditore për t’i dhënë kohë kohë për t’u sqaruar.
Dy rrugë ka, një e luftës dhe rruga tjetër është ndërtimi i paqes, njëra rrugë është të ndalojë trashëgimin brez pas brezi. Na duhet të punojmë për të ndërtuar rrugë ndërveprimesh që na japin mundësi të kuptojmë që nuk jemi dy palë qenie, por jemi të gjithë njerëz dhe kemi detyrimin që t’u lëmë fëmijëve tonë paqen.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama ka theksuar se me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, marrëdhënia miqësore nuk e pengon të ndahet aty ku nuk janë dakord.
Edi Rama: Me presidentin e Serbisë marrëdhënia miqësore nuk më pengon të ndahem aty ku nuk jemi dakord. Nuk është e njëjta gjë, por parimisht është e njëjta gjë. Spanja ka arsyet e veta që ta lexojë ashtu siç e lexon marrëdhënien me Kosovën, por kjo nuk e pengon të thotë se ne jemi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kjo nuk është një shenjë mosrespekti për mënyrën si ne shqiptarët e shikojmë këtë çështje dhe kjo që ndodh në Rusi duhet të na bëjë që t’i thërrasim mendjes fort.
Rama ka theksuar se Kosova ka bërë gjënë e duhur përsa i përket marrëveshjes së reciprocitetit të targave teksa ka shtuar se ka mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare.
Edi Rama: Qeveria e Kosovës ka bërë gjënë e duhur, ka mbështjetjen e plotë tonën. Dialog, dialog, paqe, paqe, fqinjët nuk i zgjedhim. Mbase do të kishim dashur të kemi fqinjë të tjerë. Historia do të më japë të drejtë mua dhe jo ju./tvklan.al