“Emigirimi, fenomen që ndodh kudo”
Edi Rama i etiketon si llum politikanët shqiptarë që në gjuhë të huaj hedhin baltë mbi qeverinë dhe qeverisjen. Ai flet pa emra në takimin me të rinjtë e Bashkisë së Kamzës, por intervistën më të fundit për një radio londineze e dha në fundjavë kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ku foli për arsyet e largimit të shqiptarëve drejt Britanisë.
Edi Rama: Janë llum, llum. Nuk i duhen jo vendit, por as dreqit.
Prej javësh, tema më e nxehtë që dominon politikën është largimi i shqiptarëve jashtë vendit. Pyetjet e të rinjve më së shumti ishin të orientuara tek ky fenomen dhe përgjigjen kryeministri e jep në emër të gjithë politikanëve që kanë qeverisur.
Edi Rama: Asnjëlloj skuadre politike, e ardhur dhe nga Hëna nuk do të kishte mundur dot të mbyllte derën që shqiptarët t’i mbante këtu që të gjithë, por jam i sigurtë që ky trend do të fillojë të ndryshojë.
Një maturanteje që i kërkon garanci se pas përfundimit të universitetit do ta ketë një vend pune të sigurtë, i sjellë shembuj nga Britania për t’i treguar se është tregu i punës që vendos dhe jo qeveria.
Edi Rama: Kur shkon jashtë ky juristi, as nuk i shkon mendja t’i thotë kujt se jam jurist, por shkon dhe kap punën e parë që gjen. Këtë gjë nuk ta siguron asnjë vend i botës.
Në Kamëz, Rama shoqërohej nga drejtuesi i qarkut, kryebashkiaku Veliaj i cili rreshton punët e bëra në këtë bashki në mënyrë të veçantë për infrastrukturën arsimore.
Erion Veliaj: Unë besoj që pas Luftës së Dytë Botërore, nuk janë ndërtuar kurrë kaq shumë shkolla në një mandat.
E një nga gjimnazet e rikonstruktuar në këtë bashki është ai ‘Isa Boletinit’ që u inspektua nga Rama e Veliaj.
Tv Klan