Ceremonia e nderimit me medaljen “Ylli i Mirënjohjes Publike” për kampionin e karatesë në Lojërat Europiane, Alvin Karaqi është zhvilluar ditën e sotme. I pranishëm në këtë ceremoni ka qenë edhe kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili është shprehur se Alvin Karaqi është një model frymëzimi për të gjithë.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama ka thënë se kampionët e Shqipërisë janë të integruar ose të integrueshëm në të nesërmen në Forcat e Armatosura deri në fund të jetës së tyre dhe kanë pensionin e garantuar si ish-ushtarak.
Edi Rama: Jam shumë i privilegjuar dhe me fat që sot, për shkak të detyrës, jam këtu në këtë podium për t’i shprehur Alvinit dhe familjes së tij, mirënjohjen, respektin dhe gatshmërinë tonë për të ndihmuar me aq sa mundemi të ndihmojmë, të gjithë sportistët tanë për të cilët nuk besoj se e ekzagjeroj po të them se janë sot në kushte krejt të reja. Sot, mund ta themi se Shqipëria e vogël që nuk është ndër vendet e pasura, ju ofron kampionëve një mbështetje që pak vende e kanë, sidomos në këto sporte që nuk hyjnë në industrisë e mëdha të sportit, siç është futbolli.
Në mbyllje, dua të të thyem se prania jote sot është shumë e rëndësishme për ne këtu. Ti je shëmbëlltyra e flamurit tonë kombëtar dhe me gjithë zemër të uroj shëndet në radhë të parë, të uroj që të jesh i rrethuar nga dashuria dhe respekti. Alvini nuk ka nevojë të përfshihet në Forcat e Armatosura si kampion sepse ai jeton me profesionin e tij të mjekut, por të gjithë sportistët që arrijnë në këto nivele, nuk kanë më asnjë dilemë, asnjë ankth, asnjë frikë për të ardhmen e tyre në jetën që vazhdon pas aktivitetit sportiv, siç ka ndodhur me kampionë të spikatur shqiptarë që janë gjendur në kushte braktisje për shkak se askush nuk ka menduar për ta. Kjo është një kohë që e kemi lënë pas dhe të gjithë kampionët tanë janë të integruar ose të integrueshëm në të nesërmen në Forcat e Armatosura deri në fund të jetës së tyre dhe kanë pensionin e garantuar si ish-ushtarak, në kushtet që ne po e rrisim financimin për ish-ushtarakët tanë. Do të vazhdojmë ta rrisim mbështetjen për ata që të ndjehen të respektuar në uniformën e FA të Republikës së Shqipërisë.
U përmend epoka e re me lëvizjen sportive në shkolla. Kur ne kemi marrë detyrën, Shqipëria vinte pas 20 e kusur vitesh të braktisjes së plotë të eduktimit fizik në sistemin e shkollës. Ne filluam me ringjalljen e edukimit fizik në shkollë. Tanimë, kemi një fond të përvitshëm të Komitetit Olimpik Shqiptar që do të shtrihet në shkolla. Ka shumë rëndësi për një vend dhe për një shoqëri që të gjithë fëmijët të kenë mundësi të zhvilllojnë dhe aktivitet fizik, të jetojnë një pjesë të ditës me sportin, bëhen më të fortë dhe qytetarë më të mirë, më socialë, më të përgatitur për të bashkëjetuar me të tjerët.
Jam i bindur se duke ecur në këtë drejtim, do të shohim frytet e kësaj lëvizje edhe në nivelin e kampionateve tona, edhe në nivelin ndërkombëtar pasi kjo lëvizje do të jetë shumë e mundur dhe e lexueshme, lindja dhe zhvillimi i talenteve. Nëse kanë një talent ose pasion, ose mundësi për t’u përfshirë në aktivitet fizik ta kenë derën e hapur për ta bërë këtë./tvklan.al