Sa i përket raportimeve që në Shqipëri ka më pak turistë këtë sezonë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka quajtur fushatë të porositur sulmin ndaj turizmit veror shqiptar.
“Tendenca e flukseve turistike për të shkuar përtej detit dhe për të eksploruar pika të tjera dhe zona që deri dje nuk mund të imagjinoheshin, është shumë e rëndësishme që sot të jeni të vetëdijshëm që ka një një sulm të organizuar për të dëmtuar turizmin. Kam folur me kryetarët e bashkive, janë skandalizuar nga shumë video lajme komente të rreme të manipuluara, të bëra me qëllim,” tha Rama.
Rama ka shtuar se Komisioni Europian i udhëtimeve nxori një klasifikim dhe Shqipëria është në vendin e parë me 86% rritje.
“Faktet janë në terren. Sistemet tona të sigurisë kanë ndezur dritën e kuqe të sigurisë kibernetike, profile false që përdoren për këtë sulm. Kjo është njëra anë e medaljes që vlen, ajo që vjet ishte çelje e lules së turizmit shqiptar në sytë e botës, erdhi me sfida të reja komplekse që kanë të bëjnë me të gjithë elementët. Sivjet faktikisht para pak ditësh Komisioni Europian i udhëtimeve dhe nxori klasifikim dhe Shqipëria është në vendin e parë me 86% rritje,” tha Rama.
E ai thotë se përkundër asaj që thuhet se shqiptarët e Kosovës e kanë braktisur bregdetin shqiptar, këtë vit ka 25% më shumë turistë nga Kosova.
“Përpjekje e ulët që shqiptarët e Kosovës e kanë braktisur Shqipërinë, ndërkohë këtë vit ka 25% më shumë se vjet. Ka një rritje shumë të fortë të turistëve turq, polak. Për të ulur një charter në Aeroportin e Tiranës duhet të prenotosh tre ditë para. Në aeroportin e Tiranës ka filluar punë intensive për zgjerimin e pistave dhe hapësirave” u shpreh Rama.