Rama: Investimi për Portin e ri të Durrësit do e kthejë Shqipërinë në portën e Mesdheut

Kryeministri Edi Rama e konsideron investimin për Portin e ri të Durrësit si më të madhin në rajon dhe që do të ndikojë pozitivisht për Shqipërinë.

Në takimin me qytetarët në Berat, Rama tha se Porti i ri tregtar në Durrës do t’i japë një hov Shqipërisë në destinacionet turistike të Mesdheut. Ky investim do të ketë ndikim, sipas Ramës, edhe në rritjen e pagave.

E në këtë pikë, kreu i qeverisë solli shembullin e Malit të Zi, vendi i vetëm, sipas Kryeministrit, që ka rrogat më të larta në rajon prej disa vitesh. Kjo gjë, theksoi Kryeministri Rama, ka ndodhur për shkak të ndërtimit të portit që disa vite më parë e shndërroi Malin e Zi në portën e Mesdheut.

“Shikoni se çfarë ndodh këto ditë me investimin më të madh direkt të huaj në rajonin tonë që është investimi për transformimin e portit tregtar të vjetër ndotës në mes të qytetit të Durrësit në një port turistik që do të jetë ndër më të mëdhenjtë në Mesdhe. Pse është i rëndësishëm ai port? Edhe për Beratit, edhe për Korçën, edhe për Tropojën, edhe për Kukësin, për të gjithë? Sepse ai port do të jetë një portë e madhe e hapur e një Shqipërie që do të ndryshojë komplet pozicioni në klasifikimin e destinacioneve turistike të Mesdheut dhe nuk do të jetë atraktive vetëm për të ardhur te porti, por për të shkuar më thellë. Shikoni sot Malin e Zi. Është vendi ende sot me pagat më të larta në rajon prej disa kohësh. Pse? Nuk ka ndonjë industri nxjerrëse. Mali i Zi ka ndërtuar shumë vite përpara një port që është shumë më i vogël se sa ky që do bëjmë ne që është shumë më pak atraktiv sot, por që në atë kohë ishte portë e madhe e hapur në Mesdhe, e ngriti Malin e Zi në një nivel tjetër, duke bërë që përmes kësaj porte të hyjmë turistë që shpenzojnë shumë dhe investime që sjellin shumë më tepër punësim cilësor dhe paga të larta. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Portin e Durrësit”.

Rama u shpreh i vendosur se ky investim do të bëhet dhe se do të ketë ndikim në jetën e të gjithë qytetarëve. Ndërsa u ktheu sërish përgjigje akuzave të opozitës, për të cilët tha se investimi në Portin e Durrësit është një vijë ndarëse mes dy kampeve.

“Paralelisht po ndërtojmë dhe portin e ri tregtar për sfidat ekonomike të kësaj kohe sepse porti ekzistues i Durrësit është njësoj në të gjitha aspektet siç ishte stadiumi kombëtar në Tiranë që nuk pranonte të luante asnjë skuadër e huaj më. Dhe një port tregtar i përmasave që ne duam dhe duhet të ketë që është kthyer sot në një nyje strategjike në kontekstin e ri, duke përpunuar volume shumë më të mëdha është një vlerë e shtuar por është njëkohësisht një vepër që nuk mund të ndërtohet në mes të qytetit në të gjitha rastet. Ajo që bëjmë ne sot në vitin 2022 është ajo që kanë bërë të tjera qytete që janë kthyer në histori të mëdha suksesi në Mesdhe. Arsyeja pse të gjithë duhet ta shikojnë çfarë po ndodh sot dhe duhet ta ndjekin këtë luftë barbare të atyre të mallkimit të 1912 është për të kuptuar se çfarë janë në gjendje këta t’i bëjnë çdo shqiptari që do ta shikojë mirë këtë vend. Sepse ajo që do bëjmë në Durrës do impaktojë jetën e çdo shqiptari. Aty është një vijë e thellë ndarëse mes atyre që janë krenar për këtë vend dhe duan që këtë vend ta bëjnë gjithmonë e më shumë një arsye të tjerët të jenë gjithmonë e më krenar dhe atyre që e duan këtë vend në koshin e plehrave në rast se nuk e kanë për vete. Nuk diskutohet që ne do ta bëjmë portin turistik të Durrësit. Në raport me nga u nisëm, në raport me ne ku duam dhe do shkojmë jemi akoma në të gdhirë. Nuk flas për diellin që po ndriçon, nuk flas për sa të lumtur që duhet të jenë njerëzit, unë jam shumë i vetëdijshëm për të gjitha ato që mungojnë. Ne e dimë shumë mirë se çfarë mungon edhe se çfarë ne nuk kemi bërë mirë, edhe se kush punon e ka të pamundur që të mos bëjë gabimet e veta, por edhe se ne jemi të vetmit që mund ta bëjmë Shqipërinë krenare”. /tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share