Qeveria shqiptare hedh poshtë që në konfliktin në Ukrainë të ketë shqiptarë të cilët janë vrarë atje. Kryeministri Edi Rama, duke u ndaluar tek deklaratat e Moskës, që herë pas herë është shprehur se në Ukrainë luftojnë mercenarë nga Shqipëria e Kosova, deklaroi këtë të hënë se nuk ka asnjë informacion për qytetarë shqiptarë të vrarë në këtë konflikt.
“Më ka bërë përshtypje, që në fillim përmendet në mënyrë të vazhdueshme nga Putini apo Lavrovi, apo dhe të tjerë në Moskë, Kosova. Po ta vini re, në mënyrë të vazhdueshme përmendet, madje futet edhe Shqipëria kur bëhet fjalë për luftëtarë në Ukrainë. Del lista e të vrarëve të këtyre skalioneve ndërkombëtare në Ukrainë dhe Lavrovi nuk flet për të tjerët, flet për shqiptarët dhe kosovarët. Duke dhënë dhe duke nxjerrë shifra të pabazuara në asnjë gjë, sepse ne nuk kemi asnjë informacion për qytetarë shqiptarë, të Republikës së Shqipërisë të paktën, të vrarë në këtë konflikt”.
Deklaratat Kryeministri Rama i bëri gjatë prezantimi të librit “Përplasja e Madhe”, të ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj./tvklan.al