Rama: Gjuha shqipe në rrezik, ta fusim në çdo nivel

ABETAREN E UNIFIKUAR TA SHTRIJMË NË ÇDO TREVË SHQIPTARE

12 Shtatori i gjeti vogëlushët e klasës së parë në Shqipëri e Kosovë me Abetaren e unifikuar, por Kryeministri Rama nga Kongresi i Arsimit, të mbajtur në ditën e nisjes së vitit të ri shkollor, s’e fshehu ambicien e qeverisë për ta shtrirë këtë projekt në mbarë trevat shqipfolëse.

“Do të bëjmë çmos të shtrihet edhe në vende të tjera, Maqedonia e Veriut e ka aprovuar në parim”.

Foli me shqetësim për një kërcënim që tha se i rrezikohet Gjuhës Shqipe, teksa paralajmëroi futjen e saj në të gjitha nivelet e arsimit shkollor.

“Është koha për ta diskutuar futjen e Gjuhës Shqipe në çdo nivel të arsimimit, të dimë se sa të aftë janë të rinjtë për të folur anglisht, por realisht është mangësi sot që s’kemi të njëjtin sistem për gjuhën tonë amtare”.

Në morinë e prioriteteve renditi edhe unifikimin e diplomave shqiptare me ato europiane, ndërsa mësuesve u premtoi rritje pagash.

“Ta bindim BE që ta përfshijë sistemin universitar të vendeve tona në sistemin evropian. I kemi rritur dhe do i rrisim pagat që mësuesit të jenë më të lehtësuar”.

Për të thumbuar opozitën për referencë solli një mësuese që ndonëse me bindje e djathtë ishte pajisur me kontratë të përhershme në sistemin arsimor.

“Më parë mësuesit ishin skllevër të politikës. Mund të ngryseshin në një vend pune dhe të gdhiheshin të hedhur në një tjetër vend pune”.

Më herët Kryeministri Rama nga shkolla 9-vjeçare “Jeronim De Rada” pa nga afër edhe zbatimin e të parit program kodimi në Shqipëri për fëmijët e klasës së parë. Laboratori i ri Dixhital Smart do të jetë pjesë e kabineteve mësimore në të paktën 100 shkolla të arsimit bazë publik të vendit.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share