Qeveria Shqiptare ka dorëzuar mëngjesin e sotëm në Ministrinë e Jashtme të Kosovës për të firmosur 13 marrëveshjet e mbledhjes së përbashkët mes 2 qeverive.
Përmes këtij akti, Kryeministri Edi Rama shkruan se tashmë pret konfirmimin e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për t’u takuar gjatë pasdites në Prishtinë.
“Pas pak drejt Shkupit për të nisur vizitën dyditore në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Sot të mëngjes janë dorëzuar në Ministrinë e Jashtme në Kosovë të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana jonë. Me kundërfirmosjen e palës kosovare ato hyjnë menjëherë në fuqi. Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”, ka shkruar Kryeministri Rama në Twitter.
Kreu i qeverisë shqiptare do të jetë në Kosovë pasdite në kuadër të turit të tij 2-ditor në Ballkan. Takimi me Kurtin është në statusin e “pritjes për konfirmim” nga ana e Kryeministrit të Kosovës.
Kujtojmë se një ditë më parë, Kurti tha se me Ramën pret që të takohet vetëm në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive për të firmosur marrëveshjet dhe jo në rrethana të tjera./TvKlan