Kryeministri i Shqipërisë, në një intervistë ekskluzive në Rubikon në Klan Kosova, ka thënë se ende s’ka asnjë përgjigje zyrtare nga Qeveria e Kosovës se a do të mbahet takimi me kryeministrin Kurti apo jo.
Ai tha se edhe në momentet sa po jepet intervista, kabineti i Qeverisë së Kosovës nuk i është përgjigjur kabinetit të Qeverisë së Shqipërisë.
“Por mua më shqetëson fakti që edhe tani që flasim, ne ende s’e kemi marrë një përgjigje zyrtare e serioze nga një shtet serioz që ia kërkon zyrtarisht dhe të përgjigjet zyrtarisht. Nuk kemi asnjë përgjigje sepse s’kemi pasur mundësi të kemi përgjigje zyrtare. Të gjitha qeveritë e tjera janë përgjigjur si e kemi bërë ne kërkesën. Edhe tani që flasim s’ka qenë e mundur të kontaktohet kabineti”, tha Rama.
Ai foli edhe për Kanunin, ku e përdori si shprehje gjatë një interviste në Maqedoni të Veriut sot gjatë ditës.
“Edhe ajo e kanunit nuk është pa vlerë, sepse është bazë e traditës tonë. Ne krenohemi gjithandej që “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Dhe kur thuhet “miku”, nuk thuhet vetëm miku që ti fton, por ai që troket në derë, të cilin ti mund mos ta njohësh ose edhe hasmi yt”.
“Dhe ti je i detyruar ta hapësh derën dhe ta presësh, pavarësisht se është një prani që t’i nuk e dëshiron dhe në këtë sens, edhe kaq mjafton për të mos krijuar shfaqje të tilla”, tha Rama.
Më tej, Rama tha se Kurtit i ka bërë aq shumë kërkesa për takimin e sotëm sa “as në rininë time s’i kam shkuar mbrapa një Xhuljete indiferente me aq shumë kërkesa”.
Kurse, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Rama e quajti si “djalë simpatik shumë”, por sipas tij, ai “s’ka lidhje fare me këto tema”.
“Unë e kuptoj që do të thotë fjala “më ka ngelur hatri”, më ka ngelur hatri për mbledhjen e dy qeverive që u anulua, dhe tash si do ia bëjmë. Do ta lëmë Kosovën pa asnjë zë në raportin që do të bëjmë për kancelarinë në këto vizita dyditore?”, tha Rama./klankosova