Rama e thotë troç: Nuk zgjedh asnjë bashkëpunëtor për të mos e lëshuar, kur ai lëshon veten

Në mesazhin publik lidhur me çështjen “Ahmetaj”, kryeministri i vendit Edi Rama ka thënë se drejtësia do të tregojë nëse është një rast fajësie apo pafajësie.

  • Mesazhin e drejtoi dhe tek familja e tij politike, Partia Socialiste, të cilëve ju tha “se kush e ngatërron rrugën e përbashkët me një rrugë ku bën dy punë, edhe për shtetin edhe për xhepin, merr një përgjegjësi që duhet ta mbajë vetë”.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama tha se ai “nuk zgjedh asnjë bashkëpunëtor për të mos e lëshuar, kur ai e lëshon veten jashtë rrugës së përbashkët”, teksa shtoi se “çdo bashkëpunëtor e zgjedh për të mos lëshuar rrugën dhe njerëzit që i kanë zgjedhur të gjithëve për t’i udhëhequr në këtë rrugë”.

Edi Rama: Më duket e udhës t’i rivendos edhe disa pika mbi “i”, për këtë rrugë që vazhdon me bekimin e shumicës së shqiptarëve. Kjo që kam zgjedhur, që ne, shumica politike e këtij vendi kemi zgjedhur, është një rrugë e përbashkët, ku të përbashkëta janë arsyet e mirëkuptuara, qëllimet e shpalluara, përpjekjet e bashkërenduara, po të përveçme, personale, janë përjetimet e fuqisë që i është dhënë një individi, çdo individi përkohësisht për të marrë vendime, të ndryshme janë virtytet e dobësitë njerëzore të secilit, raportet me veten, karrigen, paranë.

E prandaj edhe fati i rrugës së përbashkët është një, i përcaktuar nga e përbashkëta e përpjekjeve tona nën dritën e diellit, ndërsa fatet e bashkudhëtarëve në këtë rrugë nuk janë njësoj, për njëqind e një arsye, ama njëra ndër të cilat është niveli i rezistencës ndaj tundimit të pasurimit të paligjshëm, në ndërveprimet e panumërta për shkak të detyrës, larg syve të publikut dhe në kontaktet me gjithfarë njerëzish e interesash, që jeta në politikë apo institucione, t’i sjell në derë.

Afërmendsh nuk është asnjëherë dot e mirë, një ditë kur kjo e vërtetë materializohet, duke marrë fytyrën e bashkudhëtarëve konkretë, sepse ndjesia lënduese, herë e zhgënjimit, herë e disproporcionalitetit e herë e thjesht befasisë është e fortë dhe vështirësia e tretjes së saj është e madhe, por në fund, mbetet gjithnjë fakti se të gjithë bëjmë zgjedhjet tona dhe zgjedhja ime nuk ndryshon dot në asnjë mënyrë dhe për asnjë rast.

Prandaj po e përsëris edhe njëherë sot për të gjithë familjen tonë politike, atë që e kam thënë me fjalë të tjera disa herë më parë, po e kam stërthënë shumë herë, qysh ditën e parë të hyrjes në këtë godinë, në të gjitha mbledhjet e takimet e të gjitha niveleve të qeverisjes, se kush e ngatërron rrugën e përbashkët me një rrugë ku bën dy punë, edhe për shtetin edhe për xhepin, merr një përgjegjësi që nuk e ndan dot as me mua, as me ne, po duhet ta mbajë vetë, qoftë kur del para pasqyrës, qoftë kur sheh lart nga Zoti, apo qoftë kur i bie të gjendet para derës së drejtësisë.

Ua kam thënë shumë troç dhe po e rithem këtu publikisht para të gjithëve, unë nuk zgjedh asnjë bashkëpunëtor për të mos e lëshuar, kur ai e lëshon veten jashtë rrugës së përbashkët, po çdo bashkëpunëtor e zgjedh për të mos lëshuar rrugën dhe njerëzit që na kanë zgjedhur të gjithëve ne për t’i udhëhequr në këtë rrugë.

/tvklan.al


Lexo gjithashtu
Total
0
Share