Rama: Bashkëpunim rajonal për krizën energjetike

Teksa kriza energjetike është kthyer në shqetësim për mbarë botën, Kryeministri Rama propozon që Ballkani Perëndimor mund t’ia dalë mbanë në minimizimin e efekteve duke krijuar një treg të përbashkët rajonal, nismë kjo e ngjashme me atë të “Ballkanit të Hapur’. Nga konferenca rajonale për energjinë e rinovueshme në Beograd, kreu i qeverisë propozoi daljen përtej kufijve dhe rajonalizimin e tregjeve.

“Duhet të shkojmë përtej kufijve tanë pasi në të kundërt mbetemi ende tregje të vogla dhe ajo çfarë na duhet dhe për të cilën kemi nevojë mund të jetë shumë më tepër e kushtueshme dhe jo vetëm kaq. Duke vepruar në mënyrë rajonale, ne mund të kemi qasje më të lehtë në financime dhe mund të kemi partneritet më të fortë në sektorin privat”, tha Rama.

Modelin norvegjez e sheh si histori suksesi që duhet ndjekur edhe nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Shpresojmë që të kemi mbështetjen e partnerëve tanë nga Norvegjia si një model suksesi, jo vetëm për atë çfarë kanë bërë në vendin e tyre, por si së bashku me vendet e tyre nordike kanë organizuar tregun e energjisë rajonale. Ne do kemi me vete partnerët norvegjezë për një masterplan dhe udhërrëfyes investimesh”, shtoi kryeministri shqiptar.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç kërkoi më shumë bashkëpunim mes vendeve nëpërmjet investimeve.

“Mund të ndihmojmë njëri-tjetrin nëse punojmë bashkë. Vendet tona nuk kanë pasur investime në energjetikë për 30 vite. Duhet ta bëjmë sa më shpejt, përndryshe do të përballemi me një fatkeqësi të vërtetë. Nuk ka asnjë sektor kaq të rëndësishëm, përveç shëndetësisë, si sektori i energjisë”, tha Vuçiç.

Dy liderët e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi e vunë theksin tek investimet në energjinë e gjelbër, siç është ajo përmes paneleve diellore, erës apo edhe impianteve fotovoltaike.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor janë tejet të hapura për përvojat që vijnë nga vendet skandinave, sidomos nga Norvegjia dhe kur vjen fjala për ndërtimin e objekteve të reja energjetike”, tha Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

“Gjatë tre viteve të fundit kemi parë ndasi dhe keqkuptime, por në periudhën e fundit ky rajon ka nisur të jetë rajoni i bashkëpunimit. Dua t’u kujtoj të gjithëve se bashkëpunimi është e vetmja mënyrë për të kaluar krizën”, tha Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Në funksion të potencialit që ofron Shqipëria për energjinë e rinovueshme, Kryeministri Rama tha se po ecet në drejtim të dy projekteve, siç është impianti lundrues i energjisë diellore në Devoll dhe një sistem pompimi për të prodhuar energji përmes ujit.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share