Kryeministri Edi Rama thotë se Ballkani i Hapur është një nismë në përputhje të plotë, ‘100 përqind me frymën edhe gërmën e BE dhe nga ana tjetër është pjellë e procesit të Berlinit’. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas mbledhjes së qeverisë, Rama tha se qeveria shqiptare nuk tërhiqet nga kjo nismë.
Gazetarja: Disa ditë më parë, PE ka miratuar një rezolutë, po citoj, ku shprehen: Shprehim rezerva të forta për çdo iniciativë rajonale bashkëpunimit ekonomik, që nuk përfshin të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe që nuk është e bazuar në rregullat e BE, siç është nisma Open Balkan. Pyetja është, ndërsa në Malin e Zi janë bërë edhe protesta edhe së fundmi ndaj kësaj nisme, do të vazhdojë qeveria shqiptare të insistojë në këtë nismë për të cilën mesa duket ka rezerva edhe PE.
Edi Rama: E para e punës, ajo nuk është një rezolutë e Parlamentit Europian. E dyta e punës, Open Balkan ose Ballkani i Hapur, ka marrë miratimin e më shumë se 60 përqind të qytetarëve shqiptarë, të konsultuar gjatë Këshillimit Kombëtar. E treta, Ballkani i Hapur është një nismë në përputhje të plotë, 100 përqind me frymën edhe gërmën e BE dhe nga ana tjetër është pjellë e procesit e Berlinit. Mjafton të marrim në konsideratë faktin që në Procesin e Berlinit të ristartuar kemi firmosur ekzaktësisht ato dokumente që ishin më parë firmosur në Ballkanin e Hapur. Kështu që ne nuk kemi asnjë arsye të ndryshojmë opinion mbi Ballkanin e Hapur. Mbase ata që janë kundër Ballkanit të Hapur kanë arsye të ndryshojnë opinionin, por është e drejta e tyre të kenë një opinion të ndryshëm nga ky i yni./tvklan.al