Kryetari i Listës Serbe dhe njëherit ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, pas supsendimit të drejtorit të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriç, ka caktuar për të shtunën një takim urgjent me të gjithë përfaqësuesit e Listës Serbe, ku do të propozojë që të gjithë serbët të largohen nga institucionet e Kosovës, duke filluar nga ai personalisht.
“Do të propozojë që të gjithë serbët të largohen nga institucionet e Kosovës në Veri, por edhe nga komunat, nga prokuroria, nga gjykata, nga policia dhe nga të gjitha institucionet e tjera”, ka deklaruar Rakiç në një konferencë për media.
Ndryshe gjatë ditës drejtori rajonal i Mitrovicë së Veriut, Nenad Gjuriç, është suspenduar për shkak të mosrealizimit të autorizimeve ligjore dhe zbatim të vendimeve zyrtare.
Lajmin e ka bërë të ditur Inspektorati Policor i Kosovës përmes një komunikate për media.
“Suspendimi i tij është mbështetur në autorizimet ligjore, udhëzimin administrativ Nr.04/19 për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës dhe rekomandimit të IPK-së”.
Drejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Nenad Gjuriç, ka deklaruar të mërkurën se policia në atë pjesë të Kosovës nuk do ta zbatojë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletave qortuese, sepse këtë vendim e ka konsideruar “politik dhe drejtuar kundër komunitetit serb”.
Nuk është hera e parë që Lista Serbe kërcënon me largimin nga institucionet kosovare.
Rakiç edhe më 22 gusht kishte kërcënuar me largim dhe rrjedhimisht shpërbërje të plotë të dialogut 11 vjeçar në Bruksel.
“Ne i thamë presidentit se nuk jemi më kohë, por me insistimin e tij, ne do të luftojmë institucionalisht për të drejtat e popullit tonë, por këtë herë, në rast se nuk arrihet një zgjidhje kompromisi, do të fillojmë të largohemi nga institucionet, dhe në këtë mënyrë, bëhet shpërbërja e plotë e dialogut të Brukselit, të cilin Prishtina e ka bërë të pakuptimtë duke e refuzuar tashmë 10 vjet për të formuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, kishte thënë Rakiç.
Ndryshe Rakiç, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Beograd, javë më parë në një konferencë për media kishte paralajmëruar bllokimin e rrugëve në Veri të Kosovës, nëse Qeveria e Kosovës ndërmerr ndonjë veprim për konfiskimin e makinave, të cilat do të qarkullojnë me targa ilegale nga 1 nëntori.