Një sulm me raketa balistike ruse në qytetin ukrainas, Krivi Rih, vrau të paktën tetë persona dhe plagosi 21, përfshirë fëmijë. Kështu ka njoftuar në Telegram ministri i Brendshëm, Ihor Klymenko.
Sulmi dëmtoi një ndërtesë administrative dhe një bllok apartamentesh, sipas autoriteteve ukrainase.
Krivi Rih, një qytet i madh në rajonin e Dnjipropetrovsk, që është vendlindja e presidentit Volodymyr Zelensky, ka qenë objektiv i sulmeve ajrore disa herë gjatë pushtimit rus të Ukrainës i cili ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Zelensky u përgjigj duke u bërë thirrje aleatëve të Ukrainës që të rrisin dërgesat e baterive të sofistikuara të mbrojtjes ajrore për të shmangur sulmet ruse.
“Çdo ditë dhe çdo orë, terrori rus dëshmon se Ukraina, së bashku me partnerët e saj, duhet të forcojnë mbrojtjen ajrore”, tha Zelenskiy. Ai shprehu ngushëllime për familjet dhe miqtë e viktimave dhe tha se shërbimet e urgjencës po punonin në vendngjarje, derisa publikoi një video që tregonte një burrë duke u nxjerrë nga rrënojat.
Në një deklaratë të mëparshme në Telegram, Zelensky tha se Rusia u përpoq të fillonte një sulm të kombinuar ndaj Ukrainës duke përdorur raketa dhe dronë. Ai tha se pesë raketa dhe më shumë se 20 dronë u rrëzuan.
Më herët më 12 qershor, Associated Press raportoi se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë një sistem tjetër raketor Patriot, në përgjigje të lutjeve të Ukrainës për më shumë mbrojtje ajrore.
Ky do të jetë kundërajrori i dytë Patriot që Shtetet e Bashkuara ia dhurojnë Ukrainës, edhe pse Pentagoni i ka dhënë kohë pas kohe Kievit një numër të pazbuluar raketash për këtë sistem kundërajror./REL