Raketat “Javelin”: Kosova pret përgjigje pozitive nga kongresi Amerikan

OSMANI: KOSOVA NË FAZË TË RE TË FUQIZIMIT TË SHTETIT

Ministria e Mbrojtjes në Kosovë pret përgjigje pozitive dhe ka shpresa të mëdha që kongresi amerikan do ta aprovojë kërkesën e tyre për blerjen e raketave javelin nga SHBA-ja.

Në një përgjigje për TV Klan zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes Liridona Gashi ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës  është duke ndërtuar kapacitetet e mbrojtjes në koordinim me partnerët strategjik me theks të veçantë ë SHBA-në dhe ka marrëveshje për blerje ushtarake nëpërmjet programit për shitje të huaja ushtarake.

Në kuadër të këtij program sipas saj përveç sistemin raketor antitak parashihen të blihen edhe sisteme të tjera të armatimit.

”Për sistemin “Javelin” është dërguar kërkesa për një sasi prej 246 në vlerë prej 75 milion dollar. Për këtë blerje ministri Maqedonci ka diskutuar me DASH-in dhe Departamentin e Mbrojtjes të SHBA-së  gjatë vizitës së tij zyrtare. Sipas informacioneve që kemi marrë kjo lëndë tashmë është përcjellur për aprovim në Kongres dhe presim vendim pozitiv” – tha Liridona Gashi.

Besim të plotë se kongresi do ta përkrahë këtë shitje ka shprehur edhe presidentja Vjosa Osmani.

”Shpreh falënderim të veçantë për Sekretarin Blinken me të cilin kemi diskutuar mbi miratimin e programit të Shitjeve Ushtarake të Huaja (FMS) në korrik 2022….Kam besim të plotë se Kongresi do ta mbështesë këtë shitje të mundshme për vendin më proamerikan në botë, si një akt i cili do ta rrisë sigurinë në Kosovë, në rajonin tonë, si dhe në kontinentin evropian” – tha Vjosa Osmani.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka aprovuar kërkesën e Kosovës për blerjen e këtyre raketave dhe është proceduar në Kongres.

Sipas departamentit amerikan shitja e këtyre armëve mbështet politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse të ndëveprueshme me NATO-n.

Ka reaguar presidenti i Serbisë Aleksandër Vuciq I cili pas një takimi me ambasadorin amerikan në Beograd “shprehu zhgënjimin e thellë” .

Më 2028, kur pritet që FSK-ja të shndërrohet ushtri, ajo parashihet t’i arrijë të gjitha kapacitetet operacionale për, siç është thënë, ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share