Tensionet rreth Tajvanit janë në maksimum. Kina nisi stërvitjet më të mëdha ushtarake në histori. Mësohet se ditën e sotme janë përdorur disa raketa balistike të afta për armë bërthamore. Siç shkruajnë mediat ndërkombëtare, ato janë në gjendje të shkatërrojnë një qytet të tërë vetëm me një goditje. Bëhet fjalë për raketat Dongfeng.
Dongfeng është familja kryesore e raketave balistike me rreze të shkurtër, të mesme dhe ndërkontinentale të Pekinit, disa prej të cilave mund të mbajnë ngarkesa bërthamore dhe konvencionale dhe janë projektuar për të goditur objektiva specifikë të armikut. Arma shkatërruese u projektua që në vitin 1960 me synimin që të godiste çdo qytet në Japoni. Ajo peshon rreth 1500 kilogramë.
Më pas, ushtria kineze ndërtoi disa lloje të tjera raketash, pjesë e të njëjtës familje, me të cilat synonte të shkatërronte bazat e armikut. Mendohet se versioni më shkatërrues i raketës është ai që u përdor në stërvitjet ushtarake ditën e sotme. Ministria e Mbrojtjes në Taipei konfirmoi se disa raketa balistike Dongfeng ishin gjuajtur në ujërat përreth Tajvanit, por nuk ka identifikuar ende se cili model.
Raketa ka rreze të gjatë veprimi, me një distancë operacionale prej 15,000 km. Sa i përket stërvitjes së ushtrisë kineze në ngushticën e Tajvanit, gjithçka konsiderohet si një mesazh që Pekini i dërgon Uashingtonit, si hakmarrje ndaj vizitës së drejtueses së Dhomës së Përfaqësuesve Nensi Pelosi që zhvilloi në Taipei, të Martën dhe të Mërkurën, duke shkelur sipas Kinës integritetin territorial të vendit, pasi e konsideron Tajvanin si territor të vetin./tvklan.al