“AUTORITETET E SHKUPIT S’KANË NJOHURI PËR LEGJISLACIONIN EVROPIAN”
Deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski se Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë mund të rinegociohet, për Presidentin bullgar Rumen Radev do të thotë se qeveria e RMV-së nuk është gati për respektim të marrëveshjes. Radev apeloi për respektim të marrveshjeve ndërkombetare, pasi sipas tij, diçka që nënshkruhet duhet edhe përmbushet.
“Udhëheqja shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut është e qartë se nuk është gati. Njohja e së drejtës ndërkombëtare është e nevojshme, e cila është e qartë se mungon. Kur nënshkruhet një marrëveshje ndërkombëtare, ajo duhet të përmbushet nga të gjitha qeveritë e ardhshme, jo të rishikohet” – tha Rumen Radev, president i Bullgarisë.
Nga ana tjetër, Mickoski në qendrimin e tij të fundit për këtë çështje tha se nuk mund të udhëhiqen politika me standarde të dyfishta dhe se nëse kërkohet ndryshim i Kushtetutës për disa qindra bashkëqytetarë tanë, të cilët deklarohen si bullgarë, atëherë duhet të merren parasysh edhe të drejtat e maqedonasve në Bullgari. E për këtë Radev kritikoi autoritetet e Shkupit se nuk kanë njohuri për legjislacionin evropian.
“Modeli i Kushtetutës bullgare dhe ai i Republikës së Maqedonisë së Veriut janë shumë të ndryshëm – i tyre mbron të drejtat kolektive, ndërsa modeli i Kushtetutës sonë respekton të drejtat individuale. Natyrisht, ata nuk kanë njohuri për legjislacionin evropian, se kur ka konkluzione të Këshillit, të miratuara me konsensus, ato nuk janë objekt i negociatave, por duhet të përmbushen” – tha Radev.
Radev vlerson se “udhëheqja shtetëtore e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka shumë për të mësuar”, duke shtuar se “janë të gatshëm të ndihmojnë dhe gjithmonë e kanë ndihmuar Republikën e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj evropiane”.
Ndërkaq, kryeministri Hristian Mickovski deklarat që vijnë nga Sofja zyrtare posaçërisht nga presidenti Radev i cilëson si të çuditshme dhe i quan deklarata të cilët më shumë i përshtaten mesjetës se sa shekullit të 21-të. /tvklan.mk/