Dikur qytet me një pamje fantastike, e ndërsa sot gjithçka është rrënuar! Lahaina është kthyer në një ‘vatër zjarri’, me rrënoja e tym në të gjitha anët.
Deri më tani janë afro 100 të vdekur të konfirmuar prej autoriteteve zyrtare ndërkohë që qindra persona të tjerë rezultojnë të zhdukur. BBC shkruan se këto zjarre janë më vdekjeprurësit të ndodhur ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara. Janë kontrolluar vetëm 3% e rrënojave e ndërsa ekipet janë në ankth se numri i viktimave mund të rritet ndjeshëm.
Dhjetëra të mbijetuar kanë ndarë përjetimet e tyre për mediat e huaja. Të gjitha rrëfimet kanë një pikë të përbashkët: ata nuk ishin paralajmëruar për këtë fenomen natyror!
Të martën e kaluar në mëngjes, banorët e Lahaina u zgjuan dhe panë që nuk kishte energji elektrike, telefonat nuk ishin karikuar, kondicionerët nuk funksiononin dhe gjithçka ngjante e qetë.
Les Munn, 42-vjeç thotë se nuk e mori seriozisht ndërprerjen e energjisë elektrike duke menduar se do të ishte një problem i përkohshëm. Munn, si shumica e të tjerëve, supozoi se kjo ndërprerje ishte e lidhur me uraganin Dora aty pranë, për të cilin autoritetet kishin paralajmëruar se mund të sillte rrëke deri në 65 mph (105 km/h) në Maui. Zjarret lokale të shkaktuara pikërisht prej këtij uragani u konsideruan të parëndësishm.
Deri në orën 9:55 të mëngjesit, zyrtarët kishin deklaruar se e kishin situatën nën kontroll.
Richard Tenison, tashmë i pastrehë tregon se u zgjua nga zhurma e erërave të forta. Ai shton se ndjeu një erë të fortë tymi që në orën 8 të mëngjesit, megjithatë heshtja dominonte.
Rreth orës 15:00, gjërat filluan të ndryshojnë. Les Munn doli jashtë për të nxjerrë plehrat. Ai bisedoi me fqinjët e tij për “erën e çuditshme”, erërat që rriteshin aq shpejt dhe aq fort sa mezi dëgjonin njëri-tjetrin duke folur.
Ata spekuluan se pluhuri dhe hiri në ajër ishte për shkak të ndërtimeve në zonë.
Papritur, alarmet filluan të bien! Banorët lanë banesat e tyre ndërkohë që jashtë situata ishte kaotike. “Në atë moment të gjithë ishin të panikosur,” tha Munn.
Munn vrapoi përsëri brenda dhe u përpoq të kapte portofolin, por nxehtësia dhe tymi e detyruan të ikte me asgjë përveç rrobave të trupit. Gjithçka u bë e zezë. I mbytur nga tymi, ai iku tek e vetmja gjë që mund të shihte, dritat blu të një makine policie dhe u fut në sediljen e pasme të saj.
Munn nuk kishte marrë njoftim zyrtar për evakuim, njëjtë si shumë banorë të tjerë.
Në Maui, ishulli i dytë më i madh në arkipelagun Hawaii, ka 80 sirena në natyrë, të testuara çdo muaj që synojnë të paralajmërojnë banorët për cunami dhe fatkeqësi të tjera natyrore. Por ato sirena paralajmëruese atë ditë nuk kishin rënë në kohën e duhur, kanë konfirmuar zyrtarët. Kjo çështje tanimë është marrë nën hetim nga Prokurori i Përgjithshëm i Hawaii-t.
Zjarrfikësit e përshkruajnë zjarrin si shumë të shpejtë dhe të ulët në tokë. Ata shtojnë se tymi ishte aq i trashë dhe i errët saqë banorët nuk mund të shihnin më shumë se disa metra para tyre, asgjë veç prushit të ndezur që frynte nëpër ajër, duke djegur lëkurën e tyre dhe gjithçka përreth tyre.
“Ishte e tmerrshme, njerëzit po përplaseshin me njëri-tjetrin duke u përpjekur të largoheshin”, tha njëri prej zjarrfikësve.
Më shumë se 2200 ndërtesa u shkatërruan, shtëpitë, dyqanet dhe kishat e rreshtuara në rrugët e Lahaina. Një tjetër banor i quajtur Tenison thotë se “qyteti u rrafshua në pak minuta”.
Kjo fatkeqësi nuk preku vetëm banorët, por edhe turistët të cilët përherë kanë qenë të shumtë në këtë qytet. Një turiste nga Kansas thotë se pushimet e saj u kthyen në vdekjeprurëse, ajo kujton veten vetëm duke vrapuar.
“Ishte vetëm ora 15:30 ose 16:00 dhe gjithçka ishte e errët, gjithçka shpërtheu! Makinat morën flakë, ikëm me bashkëshortin dhe fëmijët pranë oqeanit për 4 orë”, tha ajo. Mësohet se urdhri i parë i evakuimit u dha publikisht në orën 16:29, moment ky pasi banorët kishin nisur përpjekjet e tyre për t’u arratisur prej aty.
Steve Strode, një nga fqinjët e Les Munn-it, fillimisht iu tha të largohej nga qyteti pasi ai kishte kaluar me biçikletë mes flakëve. Pas një dekade në Lahaina, ku ai përherë e kishte dëgjuar alarmin që paralajmëronte fenomene të tilla, ai nuk e kuptoi pse i njëjti sistem nuk e sinjalizoi të largohej më herët.
Banorë të tjerë morën makinat e tyre dhe udhëtuan përgjatë autostradës Honoapiilani, e vetmja rrugë më e sigurt në atë moment.
“Ne pamë flakët që rrethonin gomat e makinës, ndjemë erën e rëndë të tymit!”, thonë ata.
Edhe pse kanë kaluar 5 ditë nga tragjedia, ende nuk është bërë e mundur identifikimi i viktimave ndërsa besohet se të zhdukurit mund të jenë deri në 1 mijë.
Të premten, Guvernatori i Hawaiit, Josh Green tha se Prokurori i Përgjithshëm i Shtetit do të hetojë pse nuk funksionuan siç duhet sistemet paralajmëruese, megjithatë qeveria përmes një njoftimi zyrtar shprehet se “fajin” e kanë pasur erërat shumë të forta dhe thatësira e lartë.
Megjithatë, të evakuuar shprehen se janë ndjerë të braktisur nga autoritetet. Madje një prej tyre, Lis Geransky thotë se ngjarja mund të parandalohej duke e cilësuar si “vrasje”./tvklan.al