Qyteti i Shkupit informon se Propozim-vendimi për autobusët e rinj ekologjik në transportin publik, është dorëzuar te këshilltarët e VMRO-DPMNE-së për seancën e Këshillit i cili duhet të mbahet javën e ardhshme.
Në kumtesën e Qytetit të Shkupit citohet se këshilltarët nga radhët e VMRO-DPMNE-së qeveritare, të cilët janë shumicë në Këshill, më shumë se dy vjet nuk votojnë për furnizimin e autobusëve të rinj për transportin publik.
“Për seancën e Këshillit më 16 korrik të vitit 2024, për të 21-tën herë është dorëzuar propozim-vendimi për autobusë të rinj ekologjik te këshilltarët e VMRO-DPMNE-së, të cilët më shumë se dy vjet nuk votojnë për autobusë të rinj, edhe pse kanë shumicë në Këshillin e Qytetit të Shkupit. Sipas ligjit, kryetari i qytetit nuk mund të marrë vendim për furnizimin e autobusëve të rinj. Përgjegjësi të vetme për mungesën e autobusëve në transportin publik kanë këshilltarët e VMRO-DPMNE-së, nga të cilët si pushtet dhe shumicë në Qytetin e Shkupit, varet nëse do të ketë autobusë të rinj ekologjik dhe transport më të mirë”, citojnë nga Qyteti i Shkupit.
Në kumtesë citohet se kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, propozon që këshilltarët e VMRO-DPMNE-së plotësisht ta kontrollojnë procesin e furnizimit të autobusëve.
“Këtë vendim mund ta marrin vetëm këshilltarët nga VMRO-DPMNE. Si demonstrim i dukshëm i pushtetit dhe arbitraritetit, në kundërshtim me rregulloren dhe statutin, kryetari i Këshillit, Trajko Sllaveski, në seancën e 19 qershorit 2024 në rendin e ditës për votim nuk e vuri pikën për autobusët e rinj. Ndonëse për shkak të mungesës së autobusëve dhe defekteve, shkupjanët presin në stacionet e autobusëve për autobusë të rinj, VMRO-DPMNE nuk votojnë edhe pse ua kanë premtuar qytetarëve në zgjedhjet lokale të vitit 2021”, njoftojnë nga Qyteti i Shkupit.
Ata shtojnë se sipas programit të partisë në pushtet, i cili u prezantua në zgjedhjet lokale të vitit 2021, thuhet se deri në fund të mandatit do të dorëzojnë 250 autobusë. /mia.mk