Disa prej tyre po realizohen me fonde shtetërore në një program pilot dhe synon të rikthejë miliona ukrainas
Eskavatorët pastrojnë tokën dhe rënojat nga stacionet e trenit dhe autobusëve në qytetin ukrainas të Trostianets.
I dëmtuar rëndë në luftimet me forcat ruse pothuajse dy vjet më parë, Trostianets është një nga gjashtë vendbanimet që po rindërtohen me fonde shtetërore në një program pilot.
Kryebashkiaku Yuriy Bova shprehet se koha po mbaron për t’i rikthyer jetën qyteteve ose miliona ukrainas do të refuzojnë të rikthehen nga vendet europiane nga frika e ndonjë shaktërrimi tjetër.
“Ne po luftojmë për çdo person që duhet të kthehet; për çdo fëmijë që duhet të kthehet të ndërtojë të ardhmen e tij këtu. Ushtarët ukrainas po luftojnë për këta njerëz. Jo për një qëllim abstrakt, por për të ardhmen e vendit të tyre. Por është e pamundur të imagjinohet një vend pa popullsinë e tij, e cila është shpërngulur jashtë, duke lënë vetëm gra të moshuara. Pra, ne duhet ta bëjmë rindërtimin sot, dhe kjo ndoshta do të fillojë t’i kthejë njerëzit.”
Zyrtarët në Kiev kanë sinjalizuar gjithashtu urgjencën e rindërtimit të Ukrainës, një përpjekje që do të kërkojë qindra miliarda Dollarë dhe do të përfshijë më shumë sesa thjesht rregullime të shpejta në vende si spitalet, termocentralet dhe hekurudhat.
Për Pavlo Kuzmenko, kryebashkiaku i Okhtyrka (OHTIRKA), një qytet vetëm 20 km larg nga Trostianets që gjithashtu mban ende plagët e bombardimeve të rënda ruse në fillim të luftës, ringjallja e shesheve të qytetit është një luks që Ukraina nuk mund ta përballojë tani.
“Isha i lumtur që u zgjodh Trostianets për projektin e rindërtimit. Por isha i bindur se ishin shtëpitë e njerëzve që do të rindërtoheshin dhe infrastruktura kritike; jo sheshi qendror dhe një rrugë e ndërtuar dy vjet më parë. Atje mjafton të rindërtohen shtëpitë dhe bukuria e sheshit mund të rikthehet pas luftës.”
Shumica e shkollave në Okhtyrka janë riparuar me dritare të reja, çati ose streha për bomba falë një pjesë të madhe të donatorëve ndërkombëtarë. Kuzmenko, i cili kritikoi publikisht planet për Trostianets vitin e kaluar, tha se fokusi duhet të jetë vetëm në rregullimin e shtëpive dhe infrastrukturës kritike. Çdo fond tjetër i disponueshëm duhet të shkojë për ushtrinë.
Por banorët e shikojnë këtë projekt pilot të qeverisë ukrainase si shumë të kushtueshëm, teksa kriza ekonomike ka përfshirë vendin, për të tjerë kjo do të thotë fitore.
“Rindërtimi do të thotë lumturi, do të thotë besim në fitore. Nëse nuk do të besonim në fitore, nuk do të kishte rindërtim. Ne besojmë se qyteti ynë do të bëhet edhe më i mirë.”
“Për mendimin tim, ne nuk kemi nevojë për këtë rindërtim tani. Gjithçka duhet të shkojë për të mbështetur Forcat e Armatosura. Njerëzit po kursejnë çdo monedhë që kanë dhe po e dërgojnë atje në ushtri.”
Për disa zyrtarë ukrainas ringjallja e qyteteve të dëmtuara rëndë do të kërkonte forcë të madhe administrative.
Klan News