Pas dështimit të sotëm të Ligjit për amnisti në Kuvend dhe deklarimeve të Ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, se me gjithë dështimin dhe mos pranimin e propozimit të tij nga partnerët e koalicionit, do të vazhdojnë të jenë në qeveri, në rrjetet sociale është deklaruar Bekim Qoku, këshilltar i Albin Kurtit. Qoku ka folur për fenomenin, që sipas tij, ndodh vetëm në Maqedoni, ku brenda qeverisë ka edhe pozitë edhe opozitë, përcjell KlanM.
“Në kuvend ka shumicë e pakicë, pozitë e opozitë. Ky është fakt i ditur për demokracitë liberale. Kjo shkruhet në çdo libër shkollor mbi politikën apo institucionet. Por që të ketë pozitë-opozitë edhe brenda qeverisë, këtë dukuri e has vetëm në qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Librat shkollor duhet të rishkruhen. Kështu që, për Maqedoninë e Veriut duhet shpikur një term i ri për mënyrën e funksionimit të qeverisë apo koalicionit qeveritar. Psh, kur të thonë “partia jonë është pjesë e koalicionit qeverisës”, duhet t’i pyesësh ‘A jeni pozitë apo opozitë në qeveri’ ose ‘A luani apo rrini gjithmonë në bankinë?'”, ka shkruar Qoku. /KlanMacedonia