Gert Hoxha nuk jeton më!
Operatori i emisionit investigativ Stop, në Tv Klan, u shua tragjikisht një natë më parë në një aksident të ndodhur në Përmet. 45-vjeçari vdiq në aksident me motor.
Motori ishte një prej pasioneve të tij më të mëdha, së bashku me pasionin për kameran, që e kishte profesion prej më shumë se 20 vitesh. Prej gati 9 vitesh ishte pjesë e stafit të emisionit Stop, e ky staf shpreh dhimbjen me të madhe për humbjen e tij.
“Qofsh në dritë Gert Hoxha. Një aksident tragjik dje në mbrëmje ndërpreu në mes jetën e njërit prej operatorëve më të talentuar dhe kurajozë të emisionit “Stop”. Gert Hoxha u nda nga të dashurit e zemrës, miqtë, të afërmit e bashkëpunëtorët, të cilëve u mësoi si të jetonin e ta dashuronin çdo ditë. Jetoi me shpejtësi e po me aq shpejtësi nxitoi të prekë parajsën. Gerti punoi prej më shumë se 20 vjetësh në media dhe në formatet investigative në Top Channel, Agon Channel e së fundi në Tv Klan. Mjeshtër i kameras, i këmbënguljes e pasionit në çdo gjë që bënte, Gerti do të mbetet në zemrën e atyre, që e deshën dhe memorien e atyre, që e njohën. Stafi i emisionit “Stop” i shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve të Gertit dhe i gjendet pranë në këtë humbje të pazëvendësueshme! Gert! Shijo parajsën siç thithe çdo grimcë të jetës!”, shkruan në një postim stafi i emisionit Stop.
Kolegët e tij të Stop e cilësojnë një profesionist në punën që bënte, një shpirt të lirë…
Një tjetër pasion që e kishte materializuar edhe në një klub, ishte ai për motorët Vespa. Gert Hoxha ishte themelues i Vespa Club Tirana. Me hidhërim të thellë e përcjell vdekjen e “Çomit”, edhe ky klub.
“Me hidhërim të thellë bëj një lajmërim që s’do të doja ta bëja më kurrë! E gjithë bota e vespizmit shqiptar është në zi! Ka ndërruar jetë në një aksident me Vespa GERT HOXHA (ÇOMI)! Vespist shumë i apasionuar dhe themelues i Vespa Club Tirana. Mos mungoni të marrim pjesë të gjithë në xhiron e tij të fundit! Nuk gjej fjalë të shpreh hidhërimin tim. Ngushëllime familjes miqve dhe shokëve!”.
Reagimet për Gertin janë të pafundme. Kolegë, njerëz të medias, miq e të njohur kanë vërshuar me komentet e tyre prekëse për humbjen e tij në mënyrë kaq të parakohshme.
“Pikërisht nga lokali yt i preferuar çam po të shkruaj këto fjalë vëlla, i hidhëruar pasi mora lajmin e hidhur sot në mëngjes. Të kemi menduar këto ditë, dhe nuk e prisja kurrë të shikoja lajmin që pashë sot. Por t’i je shpirt i lirë, dhe kjo botë ishte e vogël për të përmbajtur lirinë tënde. U prehtë në paqe shpirti yt R.I.P. Gert Hoxha. Sa të rroni ta kujtoni gjithmonë me gëzim Mariola Hoxha bashkë me vajzat. Zoti ju dhëntë forcë ta përballoni këtë humbje”, shprehet një prej miqve të tij.
“Lamtumirë miku im i fëmijërisë Gert Hoxha! Nuk e besoj dot që fizikisht nuk të kemi pranë. Nuk mundet të harroj përqafimin dhe takimin dy ditë më parë në Korçë. Të ndritë shpirti në Parajsë”, shkruan një tjetër.
“Çomo, parajsa merr më të mirët. Por ti na duheshe ende, sepse zbukuroje gjithçka që kishe afër. Ishe gëzim për princeshat e tua, Marjolën, ne shoqërinë. Nuk ka fjalë për dhimbjen e gjysh Eqeremit dhe nënën tënde aq fisnike. Janë të rrallë në këtë jetë djemtë si Gert Hoxha, një mirësi më pak në jetën tonë. Një baba, një djalë, një NJERI I MIRË do na mungojë pafund. Të qoftë i lehtë dhéu vëllaçko, por dhimbja është e pafund, për të gjithë ata që të njohën dhe familjen tënde të shtrenjtë”, shprehet një tjetër.
Këto janë vetëm disa nga fjalët për Gertin, por më të dhimbshmet vijnë nga bashkëshortja e tij, e cila shkruan: “Me hidhërove shpirtin, më ke këputur zemrën, s’mund ta besoj që më le të vetme mua dhe gocat, është e padrejtë. Me hidhërim të thellë lajmëroj miqtë, të afërmit që Gerti ka ndërruar jetë.”
Gert Hoxha kishte shkuar për qejf në Përmet dhe po kthehej drejt Tiranës ku jetonte, kur dyshohet se ra në një skarpat prej 20 metrash (Lexo më shumë). Ai lë pas bashkëshorten, dy vajzat 10 dhe 14 vjeçe, prindërit dhe motrën e madhe.
Redaksia TvKlan.al