Situata mbetet kritike ndërsa OKB dhe SHBA bëjnë thirrje për dërgimin e më shumë ndihmave humanitare
Një tjetër natë sulmesh ajrore intensive në Gaza. Ushtria izraelite shkatërroi mbi 400 objektiva gjatë 24 orëve të fundit përfshirë qendrat e komandës të përdorura nga militantët, depo armatimesh zona të banuara si dhe xhami. Nga sulmet ajrore izraelite mbetën të vrarë 140 palestinezë. Në më shumë se dy javë luftime numri i atyre që kanë humbur jetën është mbi 5 mijë palestinezë, ndërsa mijëra të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Vullnetarët në Gaza ofruan ushqim për palestinezët që u larguan nga shtëpitë e tyre për shkak të sulmeve ajrore izraelite në Gaza dhe u strehuan në një shkollë të OKB-së në Gazën jugore. Më shumë se një milion njerëz jetonin në veri të Rripit të Gazës dhe qindra mijëra kanë shkuar drejt jugut për t’u grumbulluar në strehimore të përkohshme, pavarësisht se sulmet e pandërprera ajrore.
Ndërkaq 6 punonjës të tjerë të Kombeve të Bashkuara janë vrarë në Gaza duke e çuar numrin total në 35. Një kolonë e tretë e vogël ndihmash hyri në Gaza. Spitalet e mbingarkuara nga të plagosurit po përpiqen të mbajnë gjeneratorët në punë për të furnizuar me energji pajisje mjekësore dhe inkubatorë për foshnjat e lindura para kohe.
Kryeministri izraelit Bejamin Netanyahu deklaroi se Izraeli me “dorë të hekurt” do të eliminojë Hamasin, ndërsa luftëtarët e mbështetur nga Irani rreth rajonit po paralajmërojnë për përshkallëzim të mundshëm, duke përfshirë shënjestrimin e forcave amerikane të dislokuara në Lindjen e Mesme, nëse fillon një ofensivë tokësore.
SHBA ka këshilluar zyrtarët izraelitë se vonimi i një ofensive tokësore do t’i jepte Uashingtonit më shumë kohë për të punuar me ndërmjetësit rajonalë për lirimin e më shumë pengjeve. Sërish presidenti i SHBA Joe Biden nëpërmjet një bisede telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanhayu nënvizoi nevojën urgjente për dërgimin e ndihmave në Gaza.
Klan News