Një tërmet i fuqishëm goditi gjatë natës juglindjen e Turqisë, në kufi me Sirinë, duke i marrë jetën qindra personave, në të dy shtetet.
Qendra Amerikane e Sizmiologjisë tha se tërmeti ishte me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter.
Lëkundjet e forta u regjistruan në orën 04:17 me orën lokale. Ato ishin me thellësi 17.9 kilometra dhe me epiqendër pranë qytetit të Gaziantep.
Autoritetet në Turqi kanë konfirmuar vdekjen e të paktën 76 personave deri më tani. 10 janë qytetet turke që janë prekur nga ky tërmet.
Në Siri, mediat atje raportojnë për të paktën 111 të vdekur.
Të plagosurit janë po ashtu me qindra.
Shifrat janë paraprake dhe numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë, pasi të shumtë janë ata që dyshohen të jenë zënë nën rrënoja.
Lëkundjet e forta shembën shumë ndërtesa dhe ekipet e shpëtim-kërkimit po punojnë për nxjerrjen e njerëzve të zënë poshtë.
Tërmeti i kësaj të hëne besohet të jetë më i forti që godet Turqinë që prej vitit 1939, kur një tërmet me magnitudë të njëjtë i mori jetën 30 mijë personave./tvklan.al