OKB: ZHVENDOSJA E PAMUNDUR PASI NUK VENDE TE SIGURTA, ARMEPUSHIMI THIRRJA ME URGJENTE
Frika për një sulm të mundshëm në Spitalin Al-Kuds të Gazës rritet pasi Izraeli urdhëroi evakuimin e tij të menjëhershëm. Fëmijët në Gaza po përballen me një situatë katastrofike pasi mungesa e ujit të pijshëm ka detyruar ata të konsumojnë ujë të kripur.
Qindra pacientë janë të bllokuar në spitalet në veri të Gazës dhe nuk janë fizikisht në gjendje të lëvizin në jug pavaresisht thirrjeve te ushtrise izraelite. Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë në territor ka deklaruar se është e pamundur të zhvendosen pacientët nga spitalet si Al-Quds në Gazën veriore për shkak të numrit të lartë të plagosurëve dhe faktit që tanimë nuk ka më vende të sigurta.
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze thotë se sulmet ajrore izraelite po vazhdojnë në zonën përreth spitalit Al-Quds të qytetit të Gazës. Rreth 14,000 civilë mendohet gjithashtu se janë strehuar në spital.
Fëmijët në Gaza po përballen me një situatë katastrofike. OKB ka bërë te ditur se mungesa e ujit të pijshëm ka detyruar ata të konsumojnë ujë të kripur. Shifrat e publikuara nga të dielën tregojnë se të paktën 3,324 fëmijë janë vrarë në Gaza që nga 7 tetori, ndërsa 36 kanë vdekur në Bregun Perëndimor, numër ky shumë herë më i lartë nga të gjitha konfliktet e armatosura në Gaza. Autoritetet mjekësore në Rripin e Gazës kanë bërë të ditur se mbi 8 mijë palestinezë kane humbur jeten nga luftimet.
Agjencia bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm humanitar dhe rritje të ndihmave në Gaza në baza të qëndrueshme dhe të sigurta. Një total prej 117 kamionësh kanë hyrë në Gaza përmes Rafah që nga 21 tetori. Palestinez i zhvendosur Mohamed Zaki al-Saidi dhe fëmijët e tij u ulën për të ngrënë vaktin e parë pas 23 ditësh, që kur Izraeli forcoi bllokadën dhe bombardimin e Gazës.
”Ky është vakti ynë i parë që nga shpërngulja që mund të gatuajmë oriz dhe mish. Na mungon buka, situata jonë është shumë e keqe. Kemi 23 ditë që jetojmë në shkatërrim dhe bombardim. Vetëm zotit i lutemi, askujt tjetër as vendeve të tjera jo. Askush nuk do të qëndrojë pranë nesh” – tha një banor.
Në 24 orët e fundit Forcat e Mbrojtjes së Izraelit goditën mbi 600 objektiva të Hamasit duke vrarë dhjetra terroristë gjatë përleshjeve dhe duke shkatërruar tunele e depo armësh etj.
Ndërkaq situata mbetet e rëndë edhe në Bregun Perëndimor. Izraeli kreu një bastisje në qytetin verior të Jeninit në Bregun Perëndimor, duke lënë katër palestinezë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur.
Të rinjtë palestinezë u panë duke gjuajtur me gurë ndaj një tanku izraelit. Dhuna në territor është rritur që kur Izraeli filloi të bombardojë Rripin e Gazës pas sulmit shkatërrues të grupit islamik Hamas më 7 tetor. Të paktën 1070 janë arrestuar deri më tani.
Tensionet mbeten të larta edhe në kufirin mes Izraelit dhe Libanit. Shumë komunitete izraelite pranë kufirit janë evakuuar nga civilët pasi forcat ushtarake izraelite kanë zënë pozicione.