Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e mbajti sot mbledhjen e 100-të me radhë, ku u përveç se u miratua informacioni për mbajtjen e mbledhjes së dytë të përbashkët të qeverive të Maqedonisë dhe Shqipërisë, u miratua edhe Programi për mbështetje financiare të transportuesve ajror, të vendit dhe të huaj. Me këtë sipas Qeverisë, do të hapen linja të reja dhe mundësi të reja për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë, transmeton Klan Maqedoni.
“Gjithashtu u miratua Dekreti për mënyrën dhe kriteret e dhënies së mbështetjes financiare për transportuesit ajror të vendit dhe të huaj dhe dokumentacionin e nevojshëm që duhet të dorëzohet nga përfituesit e mbështetjes financiare. Në përputhje me këto vendime, Qeveria përmes Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, në periudhën e ardhshme do të shpallë thirrje publike për dhënien e mbështetjes financiare kompanive ajrore që do të prezantojnë destinacione të reja ajrore për qytetarët”, thuhet në njoftimin e shërbimeve qeveritare.
Me propozim të Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, qeveria në seancë e sotme shqyrtoi dhe miratoi Informacionin për mbajtjen e mbledhjes së dytë të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.
Mbledhja është paraparë të mbahet më 14 nëntor të vitit 2022, në Shkup./KlanMacedonia