SPANJA U BASHKANGJITET VENDEVE ME MASA PËR KURSIMIN E ENERGJISË
Në Spanjë është ndezur debati pasi Qeveria ka urdhëruar që në dyqane, zyra dhe në vendet tjera të mbyllura kondicionerët të mos vendosen në ftohje nën 27 gradë Celzius. Kjo është pjesë e planit për uljen e shpenzimit të rrymës, me këtë edhe ulje e varësisë nga gazi rus. Gjatë sezonit të ngrohjes, sipas vendimit të qeverisë, mjetet e ngrohjes nuk duhet të vendosen mbi 19 gradë. Masa të obligueshme për kursimin e energjisë janë vendosur edhe në Francë, Gjermani, Greqi dhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian.
Vendimi për kursimin e energjisë, të cilin qeveria në Madrid e publikoi dje, është i obligueshëm dhe ka të bëjë me të gjitha ndërtesat publike dhe komerciale, restoranet dhe baret, kinematë, teatrot, aeroportet dhe stacionet hekurudhore. Si rekomandim, ka të bëjë edhe me amvisëritë në Spanjë.
“Gjatë stinës së dimrit ngrohja duhet të jetë më së shumti 19 gradë Celzius, gjatë verës kondicionerët më së paku 27 gradë. Kërkojmë që dyert e dyqaneve të jenë të mbyllura kur është kyçur ngrohja ose ftohja qendrore. Do të fiken dritat dekoruese të ndërtesave dhe të përmendoreve,” deklaroi Tereza Ribera, Ministre e Ekologjisë, Spanjë.
Njerëzit që punojnë në zyra ose dyqane dyshojnë se në temperaturë 27 gradë do të mund të punohet, por kryesisht pajtohen me faktin se masa për kursimin e energjisë janë të nevojshme. Temperaturat e larta që këtë verë e kapluan Evropën konsiderohet të jenë arsyeja për vdekjen e mijëra njerëzve në Spanjë, ndërsa muaji korrik është regjistruar si muaji më vdekjeprurës në shtatë vitet e fundit, me mbi 2100 raste të vdekjes.
Numri më i madh i rasteve të vdekjes janë pasojë e stresit në trup për shkak të nxehtësisë, që mund të përfshijë më shumë organe dhe të shpie deri te vdekja. Spanja sipas vdekshmërisë nga vala e të nxehtit është e para në Evropë edhe gjatë ditëve të fundit, ndërsa më të prekur janë personat e moshuar, te të cilët nxehtësia mund të shkaktojë goditje në zemër, emboli dhe probleme të tjera shëndetësore. Nga ana tjetër, Franca, e cila gjatë javës së kaluar ka vendosur masa të ngjajshme për kursimin e rrymës, këtë javë është përfshirë nga një valë tjetër e nxehtësisë, e cila në disa zona do ta rrisë temperaturën deri në 40 gradë. /KlanMacedonia/