Qeveria me vendim për transportin publik! NQP – Shkup do të huazojë naftë nga rezervat shtetërore!

Me vendim të Qeverisë, Qytetit të Shkupit do t’i huazohet një pjesë e naftës nga rezervat shtetërore. E gjithë kjo me të vetmin qëllim për t’i dalë në ndihmë Ndërmarrjes për Qarkullim Publik dhe funksionimit normal të kësaj ndërmarrje.

Vendimin e Qeverisë e ka kumtuar zëdhënësja Venera Azizi.

Në bazë të këtij vendimi u mundësua huazimi i një pjese të rezervave shtetërore të naftës për qytetin e Shkupit.

Azizi gjithashtu ka dhënë edhe një lajm tjetër që ka të bëjë me funksionimin normal të NQP Shkup.

Sot biroja për furnizime publike miratoi vendim me të cilën plotësohen kushtet për të zhvilluar procedurë negociuese pa shpallje të thirrjes me qëllim shkurtimin e periudhës për blerjen e derivatit të nevojshëm për qytetin e Shkupit.

Problemi me transportin publik në Qytet është për shkak të borxheve për derivatet e naftes që NQP Shkup i detyrohet kompanisë Pucko Petroll. Sot Prokuroria Publike i ka dhënë udhëzime Policisë Financiare, që të hetojë procedurat për furnizime publike me derivate për nevojat e Ndërmarrjes për Qarkullim Publik- Shkup.

Ndryshe, në Qytetin e Shkupit ka filluar mbledhja e këshillit të qytetit ku po diskutohet mënyra për të dalë nga kriza në të cilën është futur qyteti. /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share