Qeveria greke përfshihet në një skandal përgjimesh

Aplikacione të fshehta në celularet e opozitës dhe gazetarëve

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis po kalon orët më të vështira, që kur u zgjodh në krye të qeverisë tre vite më parë. Kabineti i tij mori një goditje të fortë javën e kaluar, pas zbulimit të skandalit në qendër të të cilit ishin përpjekjet e Shërbimi Informativ Kombëtar të Greqisë për të përgjuar kreun e opozitës së majtë Nikos Andrulakis dhe disa gazetarë, përmes linqeve që instalonin aplikacione të fshehta përgjimi në celularë.

Skandali u bë publik pasi javën e kaluar, drejtuesi i PASOK-ut dorëzoi një padi në Gjykatën e Lartë ndaj përpjekjeve për ta vënë nën përgjim. Në një konferencë për shtyp këtë të Hënë, Mitsotakis pranoi përgjegjësinë morale për këtë skandal.

“Ndonëse gjithçka është bërë sipas ligjit, Shërbimi Informativ Kombëtar nënvlerësoi dimensionin politik të këtij veprimi. Ishte formalisht i rregull, por politikisht i papranueshëm”, tha ai.

Andrulakis u vu nën përgjim nga inteligjenca greke me lejen e prokurorisë në Shtator 2021 kur ai ishte Eurodeputet, çka lejohet sipas ligjeve për sigurinë kombëtare.

Por në Dhjetor të vitit të kaluar, ai u zgjodh në krye të koalicionit opozitar KINAL dhe përgjimet vazhduan edhe disa ditë pas zgjedhjeve, çka ngre dyshime se ato mund të jenë përdorur edhe për qëllime politike. Zbulimi i skandalit çoi në dorëheqjen e drejtuesit të Shërbimit Informativ grek.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share