Parashikohet lejimi për përdorim personal
Qeveria gjermane ka shtyrë përpara projektin e saj për dekriminalizimin e përdorimit të kanabisit për qëllime rekreative.
Pas rreth një viti nga prezantimi i këtij plani, kabineti qeveritar i drejtuar nga Kancelari Olaf Scholz miratoi të mërkurën projektligjin që do t’i lejojë të rriturit të blejnë dhe posedojnë sasi të vogla kanabisi për përdorim vetjak.
Sipas draftit të miratuar personat mbi 18 vjeç do të mund të mbajnë deri në 25 gram kanabis sativa si dhe të kultivojnë maksimumi tre bimë për përdorim personal.
Kanabisi do të vihet në dispozicion përmes shoqatave të veçanta ose të ashtuquajturave klube të kanabisit.
Megjithatë, sipas projektligjit, kanabisi nuk mund të konsumohet në lokale ose në një rreze prej 250 metrash prej tyre.
Qeveria e Kancelarit Scholz shpreson se me këtë ligj do të frenojë tregun e zi, do të mbrojë konsumatorët nga marihuana e kontaminuar dhe do të reduktojë krimin e lidhur me drogën.
“Qëllimi i projektligjit është shmangia e tregut të zi dhe reduktimi i krimit të lidhur me drogën, frenimi i tregtimit të substancave toksike dhe ulja e numrit të konsumatorëve”, tha ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach.
Për të rinjtë, posedimi dhe konsumimi mbetet i ndaluar. Diskutimi i projektligji është shoqëruar me debate, teksa partitë e opozitës kanë paralajmëruar se nisma do të inkurajojë përdorimin e drogës dhe do të rrezikojë të miturit.
Nisma e qeverisë duhet të kalojë në Shtator në parlament, para se të hyjë në fuqi.
Aktualisht në Gjermani, kanabisi mund të prodhohet dhe përdoret ligjërisht për nevoja të kufizuara mjekësore.
Tv Klan